Ferizaj

Ndihmohen 333 fermerë ferizajas me 140 ton pleh azotik

By FerizajPress

May 01, 2019

Masat e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, për rritjen dhe zhvillimin e bujqësisë po shënojnë një fazë të rëndësishme. Së fundmi, sipas thirrjes publike të kësaj drejtorie, 333 fermerë ferizajas përfituan 140 tonelata për 930 hektarë pleh azotik të nevojshëm për begatimin e tokës punuese dhe rritjen e rendimenteve në bujqësi.

Kjo ndihmë fermerëve ferizajas është e vlefshme për faktin se do të futet menjëherë në përdorim, në gjithë shtrirjen qindra hektarëshe që mbulon kjo sasi, frytet e së cilës do të vjelen këtë sezon mbjelljesh.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami i cili personalisht mori pjesë në shpërndarjen e kësaj ngarkese për fermerët ferizajas tha se prioritet i punës së tij është që përmes masave të tilla të ndikoj në rritjen e bujqësisë, duke filluar me pasurimin e tokës bujqësore, rrjedhimisht rritjen e rendimentit bujqësor. Ai tha se të tilla nisma do të zbatohen edhe në faza të tjera dhe se Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë ka një pako masash të veçanta, të cilat do të implementohen për herë të parë, me qëllim që fermerët ferizajas të ndiejnë dorën e kujdesit dhe mbështetjen nga autoritetet lokale.

Kjo nismë, tash po implementohet në fazën e parë ndërkohë që shpërndarja do të vijoj edhe për grupe tjera ku bujqit do të njoftohen me kohë.