Lajme

Nderimi i Thaçit në Grackë midis gjestit politik dhe pajtimit

By FerizajPress

July 22, 2016

Shume herë gjestet e politikanëve në Ballkan janë parë me dyshime dhe dilema, në veçanti kur ato kanë patur të bëjnë me kërkim faljet ose nderimet e viktimave të grupeve tjera etnike. Ndonjëherë nderimet janë vlerësuar si akte “tradhtie”, të pasinqerta dhe mbi të gjitha politike, por në asnjë mënyrë si gjeste të vullnetit të mirë.

Vetëm një ditë pas vendosjes së kurorave me lule tek memoriali i 14 qytetarëve të komunitetit serb, të vrarë në korrik të vitit 1999, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është cilësuar njëkohësisht edhe “pajtues” edhe “paragjykues”.

Teksa ka vënë kurorat me lule në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, ku nuk është pritur nga asnjë banor i tij, i dominuar nga pjesëtar të komunitetit serb, Presidenti Thaçi, e ka cilësuar vrasjen e 14 banorëve serbë si “akt kriminal dhe veprim jo vetëm kundër viktimave që ishin duke punuar në arë, por edhe akt kundër lirisë së Kosovës dhe të ardhmes së saj demokratike”.

“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Vrasja e 14 burrave serbë në fshatin Grackë e Vjetër, në korrik të vitit 1999, pak javë pas hyrjes së forcave të NATO-s, dhe largimit të trupave serbe të sigurisë, pati ngjallur reagime të forta dhe njëkohësisht edhe akuza ndaj shumicës shqiptare.

Akti i vrasjes, autorët e të cilit asnjëherë nuk u zbuluan prej më shumë se 17 vjetësh, acaroi marrëdhëniet edhe ashtu të rënduara ndërmjet komuniteteve.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas, akti i nderimit, në një memorial ku është shënuar se i takon “viktimave të terrorit, siç thuhet, shqiptar”, u vlerësua njëkohësisht edhe si gjest politik edhe si gjest pajtimi, i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit.

Një prej njohësve të rrethanave politike në Kosovë, Rangjell Nojkiq, i tha Radios Evropa e Lirë se veprimi i Thaçit megjithëse është i i habitshëm, sepse bëhet për herë të parë nga një udhëheqës shqiptar i një institucioni të Kosovës, është “gjest i vullnetit të mirë”.

“Mendoj se ai, në këtë mënyrë, ka treguar respekt për viktimat. Shpresoj se përveç kësaj do të bëhet edhe diçka tjetër që ndoshta të ndërmerren nisma për zbulimin e kriminelëve, të atyre që kanë kryer këtë vepër dhe do të procedohet në mënyrë të drejt”, tha Nojkiq.

Nojkiq thotë se vetë figura e Hashim Thaçit është politike dhe si i tillë, akti edhe përçon porosi politike.

“Në këtë mënyrë ai ka treguar gatishmërinë që të dërgojë sinjal të qartë se në këto hapësira shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe duhet të tejkalohen dallime të caktuara”, tha Nojkiq.

Por, për dallim prej tij, vlerësimet në mesin e shqiptarëve të Kosovës, janë pak a shumë të ndryshme.

Analisti politik, Halil Matoshi duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se para viktimave duhet të përkulën të gjithë dhe se veprime të tilla duhet të ketë sa më shumë në rajon.

Megjithatë, Matoshi tha se presidenti nuk e ka zgjedhur momentin dhe as vendin për të bërë një akt të tillë, që sipas Matoshit, megjithatë është i justifikueshëm.

“Në vend se të kërkoj hetim dhe zbardhje të rastit ai ka pagjykuar shqiptarët si fajtor të këtij akti, padyshim të egër dhe brutal. Dhe gabimi i dytë mendoj se është përkulur të një pllakë e cila në mbi shkrimin e vet përmban një mbishkrim racist për shqiptaret e Kosovës”, tha Matoshi.

Jeton Neziraj, dramaturg tha se veprimi i presidenti Thaçi duhet të shihet si një hap që i avancon marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptareve dhe serbeve në Kosovë.

“Presidenti Thaçi e ka bërë një hap të vogël mirëpo, besoj se ai i hap rrugë edhe palës tjetër që ndoshta të bëjnë hapa të nderimit dhe përkujtimit të njerëzve të pafajshëm të cilësdo palë që kanë qenë viktima të terrorit. Vërtet unë mendoj se është një sinjal i mirë veçanërisht për politikanët në rajon që të shohin përtej atyre politikave nacionaliste”, tha Neziraj.

Presidenti i Kosovës ka kërkuar zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, pa dallim dhe njëkohësisht ka kërkuar veprime të përbashkëta në këtë drejtim.

Hapa të tillë si të presidentit Thaçi, të nderimit të viktimave civile, të kombësisë tjetër, në Ballkan ka patur sado që shumë rrallë.

Veprim të ngjashëm ka bërë kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, duke nderuar viktimat serbe në Kazan.

Më herët, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka qëndruar përballë nënave të Srebrenicës, në vendin ku djemtë dhe burrat e tyre ishin pushkatuar.