Ferizaj

Ndalohet përkohësisht importi i vajit të palmës

By FerizajPress

September 11, 2020

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur që të ndalojë përkohësisht importin e vajit të palmës, importin e djathit dhe produkteve të ngjashme të djathit të prodhuara me yndyrë bimore.

Është ndaluar po ashtu përkohësisht përdorimi i vajit të palmës në prodhimin e produkteve të ngjashme të djathit nga prodhuesit vendorë.

Në vendimin e marrë të premten, MTI-ja ka obliguar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të bëjë hulumtim lidhur me përdorimin e brendshëm të vajit të palmës.

Vendimi do të hyjë në fuqi me datën 15 shtator.

Në arsyetim të vendimit është theksuar se kjo është bërë bazuar në kërkesën e Shoqatës së Industrisë së Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës. Po ashtu përmenden edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës që kanë treguar rritje të konsiderueshme të importit të vajit të palmës, në periudhën 2015-2019.

Sipas arsyetimit, MTI-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë kanë vlerësuar se vaji i palmës dyshohet se përdoret për prodhimin e produkteve të qumështit dhe në etiketën e produkteve s’vendosen të dhëna të sakta lidhur me përmbajtjen e tij.

Pak orë para se ministri Vesel Krasniqi të publikojë vendimin, Shoqata e Qumështorëve të Kosovës përmes videove të postuara në rrjete sociale tregoi se fermerët po “detyrohen që të derdhin qumështin në lumenj”.

Të premten, Shoqata e Fermerëve të Kosovës ka paralajmëruar një konferencë për media për të shtunën për “gjendjen emergjente të shkaktuar në sektorin e qumështit nga importi i pakontrolluar i vajit të palmës”. Megjithatë, ajo u anulua pas vendimit të ministrisë duke thënë se “ndonëse vetëm përkohësisht e ndalon vajin e palmës neve na krijon hapësirë për të marrë frymë dhe për të plasuar qumështin vendor në treg”.

Sipas shumë studimeve ndërkombëtare, vaji i palmës lidhet me shumë probleme të zemrës për shkak të përmbajtjes së nivelit të lartë të yndyrës.