Ferizaj

Ndalohet edhe një person tjetër në rastin “Brezovica”

By FerizajPress

June 01, 2022

Ferizaj, 01 Qershor 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të dyshuarin R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale në bashkëkryerje “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.