Ferizaj

Ndahet nga jeta Ekrem Jashari —Baci, një ndër figurat më të hershme të rezistencës në Ferizaj

By FerizajPress

June 22, 2025

Me dhimbje e pikëllim të thellë u mor lajmi për ndarjen nga jeta të Bacë Ekrem Jasharit, në Gjenevë të Zvicrës. Ai ishte një prej figurave më të hershme dhe më të guximshme të rezistencës dhe veprimtarisë atdhetare në Ferizaj, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e çlirimit të Kosovës.

Në vitin 1993, në kohë të vështira për popullin shqiptar të Kosovës, kur regjimi serb ushtronte shtypje brutale, Bacë Ekrem ishte ndër të parët që hodhi themelet e organizimit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj. Me guximin e tij, ai themeloi celulat e para të UÇK-së, duke i dhënë jetë një lëvizjeje që do të bëhej më vonë simbol i çlirimit të vendit. Në një periudhë kur edhe fjala “çlirim” përmendej me frikë, ai ishte shembull i vendosmërisë, urtësisë dhe vizionit për të ardhmen e lirë të Kosovës.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Ferizaj, bashkë me bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Ferizajt, e përkujtojnë me nder dhe krenari figurën e Bacë Ekremit, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari dhe gjithë të afërmve në këtë moment të rëndë.

Një jetë e përkushtuar për lirinë

Bacë Ekrem Jashari, që në fillim të viteve ‘90, nuk u dorëzua përballë padrejtësive dhe dhunës që ushtrohej ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Me veprimtarinë e tij të organizuar, ai arriti të lidhë dhe motivojë shumë të rinj të cilët më vonë iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi i tij në ndërlidhjen, mobilizimin dhe edukimin e brezit të ri me frymën e çlirimit ka qenë i jashtëzakonshëm.

Për shumë nga ata që më vonë morën armët për çlirimin e atdheut, Bacë Ekremi ishte udhërrëfyes, mbështetje morale dhe shembull i pathyeshmërisë. Idealizmi i tij për lirinë, dinjitetin dhe ardhmërinë e popullit shqiptar mbeti i palëkundur deri në fund të jetës.

Njoftimi për varrimin

Për datën dhe orarin e ceremonisë së varrimit të Bacë Ekrem Jasharit, familja dhe miqtë do të njoftohen në ditët në vijim.

Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Ekrem Jasharit! U prehtë në paqe! 🇦🇱