Lajme

Ndahen rrugët e opozitës

By FerizajPress

April 19, 2016

“Opozitë të bashkuar” më nuk ka. Përfundimisht të hënën janë ndarë rrugët midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, në njërën anë, dhe lëvizjes “Vetëvendosje” në anën tjetër.

AAK-ja e Nisma kanë lidhur marrëveshje për ecje të përbashkët edhe në zgjedhjet e ardhshme, e LVV-ja i rri pas krijimit të një alternative me shoqërinë civile dhe subjekte politike që shprehin gatishmëri t’u bashkëngjiten, shkruan sot Koha Ditore.

Deri një muaj më parë të tria këto subjekte kanë qenë tok në aktivitetet që i kanë zhvilluar prej shtatorit të vjetëm, në përpjekje për të stopuar përmbushjen e dy marrëveshjeve që i konsiderojnë të dëmshme për vendin – atë për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Për ta penguar punën e Kuvendit kanë aktivizuar gaz lotsjellës, kanë hedhur vezë e shishe uji, kanë përdorur edhe bilbila e laserë. Nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike.

Kanë organizuar protesta të përbashkëta masive në rrugë, në të cilat ka dalë kërkesë edhe dorëheqja e Qeverisë. Dhe problemet në opozitë janë shfaqur kur në rend dite kanë vënë listën e përbashkët me të cilën do t’i drejtoheshin elektoratit, por edhe alternativën qeverisëse.

Kjo ka pasur efekte edhe në aktivitetet kundërshtuese të marrëveshjes, që më nuk janë të përbashkëta. AAK-ja dhe Nisma kanë thirrur protestë për 14 maj, të cilën LVV-ja nuk do t’i japë mbështetje.