Lajme

Natën e Mirë, Opozitë!

By FerizajPress

April 17, 2016

Nga Beqë Cufaj

Të tradhtuar nga Isa e poshtëruar nga Hashimi e Kadri Veseli vendosën të bashkohen pasi e panë që s’kishin rrugë të dytë as të tretë.

Të parëndësishëm në parlament, të anashkaluar në media, të harruar në opinion, Albini, Ramushi e Fatmiri shfrytëzuan rastin e parë dhe iu futën betejës së sfidimit të një makinerie votash nga një koalicion gjigand numrash. Dhe sistemi mafioz të funksionimit. Ishte Jabllanoviqi ai i cili i forcoi në Kuvend, nxori në rrugë dhe bashkoi me popullin: derisa së bashku detyruan Qeverinë ta hiqte qafe neoçetnikun e vogël serb.

Jabllanoviqi shkoi por obsesionet me Serbinë mbetën.

Nuk është e tepërt të thuhet këtu që përzgjedhja, fokusi dhe sidomos renditja e temave me të cilat opozita kritikonte dhe vepronte ndaj pushtetit ishte e gabuar. Prioritetet e saj në (vetëm) Asociacion dhe Demarkacion ishin të shkruara paraprakisht të dështonin. Kokëfortësia e Albinit për Zajednicën dhe nervoza e Ramushit për Çakorrin – në shikim të parë të këndshme për publikun- u jepnin komoditetin sidomos kartelit PDK-LDK- që para dhe prapa ta kishin aleatin e madh: perëndimin.

Bota e Albinit dhe hutia e Ramushit dëshmuan edhe njëherë, shpresoj përfundimisht: liria e Kosovës është produkt i vuajtjes së popullit shqiptar nën regjimin e Milosheviqit. Dhe si për lirinë ashtu edhe pavarësinë e këtij shteti hisenikët janë shtetet e mëdha perëndimore: Amerika bashkë me katërshen europiane- Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Nuk ka mundur, nuk mundet dhe kurrë s’do të mund të bëhet asgjë në këtë shtet pa folur edhe hisedarët e sipërpërmendur të lirisë dhe pavarësisë. Këtë e ndjen populli. Këtë e shfrytëzojnë PDK e LDK dhe kjo duhet të jetë e qartë për Albinin, Ramushin e Fatmirin. Fitoret e tyre vogla kur qeverisë së korruptuar i dridheshin këmbët deri në themel dhe atë që pas luftës ishin fitore qytetarie. Të përkrahësve të tyre. Gjithsesi, ne vëzhguesit pasiv dhe përkrahësit e tyre gjithmonë ua kemi tërhequr vërejtjen që e kanë gabim kur mendojnë që me ato tema mund të kenë përkrahjen e përendimit. Imagjinojeni poqese Opozita e bashkuar do ta kopjonte veç pak Vuqën e Beogradit: ta lënin pak anash punën e Dialogut e Serbisë dhe të niseshin drejt spitaleve, shkollave, zyrave të Agjensioneve shtetërore- të korruptuara deri në fyt. Me popullin përpara dhe perëndimin prapa.

Atëherë, atëherë po: Kosova kaherë do të ishte dukur ndryshe.

Kurrë s’do t’i marrim vesh shkaqet e vërteta të prishjes së opozitës. Nëse ishin ato që i kemi botuar sot në këtë Gazetë-propozimi i Ramushit dhe kundërpropozimi për Alternativë i Albinit? Edhe mund të jenë. Por ato sërish s’do kishin sukses sepse fokusi sërish do të ishte ai i njejti. Një Kosovë e hedhur prapa në kohën e luftës e pasluftës, me neorevolucionarë dhe ish-komandantë të UÇK-së që duan luftë të re me Serbinë? Jemi në vitin 2016 dhe Kosova ndoshta s’ka ecur sa janë temat globale ato që vendit i japin obligime dhe rirreshtime në rajon e botë. Kjo mospërputhje kohore në tema dhe qasje duket që ishte vendimtare në shkatërrimin e këtij projekti.

Meritore në këtë dështim: mund të ketë organizim dhe refuzim të një qeverisje sado frikësuese përnga fuqia e votës.

Të bëhen prognoza është e vështirë.

Kosova del nga ky projekt me një mësim, një pësim dhe një shpresë.

Mësimi ishte që të gjithë ne që besuam në iluminizmin e tyre ishte veç një ëndërr.

Pësimi është duhet pritur mbase për një konfrontim mes PDK-së e LDK-së që në këtë vend të harruar edhe nga zoti të shihet pak potencë.

Shpresa do jetë që do e duhet të dalë një opozitë e re- me vizion dhe qëllim të qartë. Kosovë pro-perëndimore e cila më s’e duron shtypjen neo-otomane në imoralitet, mentalitet, qeverisje dhe izolim!

Deri atëherë: natën e mirë Opozitë!

/© GazetaBlic.com/