Ferizaj

Nadire Ymeri – Drejtore e re e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare

By FerizajPress

March 08, 2019

Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, udhëheqësi i njësisë së shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Ibush Bakolli, ka pritur në takim urimi për detyrën e re, drejtoren e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, znj. Nadire Ymeri.

Në këtë takim u bisedua për rrjedhën e punëve në këtë institucion, politikat shëndetësore në nivelin lokal si dhe reformën e thellë në këtë sektor gjatë kësaj qeverisje.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se edhe me këtë rast, qeverisja e re lokale po jep një shembull për drejtuesit e institucioneve tjera, duke vendosur në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor në nivel lokal, një grua, një profesioniste. Ai i garantoi drejtores së re të QKMF-së, bashkëpunimin të plotë, me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë në punë si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, duke vendosur kështu rend, rregull, disiplinë brenda institucionit.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi ka uruar drejtoren Ymeri për detyrën e re duke i garantuar se do ta ketë mbështetjen e plotë të tij në implementimin e suksesshëm të objektivave qeverisëse për fushën e shëndetësisë.

Zonja Ymeri, falënderoi të parin e Komunës, Agim Aliu për gatishmërinë e tij, njëkohësisht edhe drejtorin Ademi për ofrimin e bashkëpunimit të pakursyer me qëllim të zbatimit efikas të platformës në shëndetësi, që qytetarëve ferizajas t’i ofrohen shërbime cilësore dhe të shpejta.

Drejtorja e re e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare nis punën sot, në krye institucionit më të lartë shëndetësor në nivel lokal.