“Muzeu i alfabetit shqip në Manastir, ndër vite po pret një projekt për t’u rimëkëmbur. Banorët dhe intelektualët e këtij qyteti thonë se muzeun e alfabetit të gjuhës shqipe e shkatërruan pikërisht analfabetet, me papërgjegjësinë e tyre”.
“Mua më duket se analfabetët e shkatërrojë muzeun e alfabetit. Erdhën njerëz që nuk i dinë punës, i morën mbrapsht punët dhe më duket se bëhen disa lojëra krejt të papranueshme për ne shqiptarët jo vetëm të Manastirit por gjithandej. Ky nuk po e luan rolin e muzeut, të pasurisë tonë më të madhe shpirtërore dhe kulturore e që na e ruajti identitetin kombëtarë”, tha Qenan Hasani, ish gazetar.
Disa mësimdhënës shprehin indinjatën e tyre, duke theksuar muzeu ndodhet në këtë gjendje si pasojë e mos interesit të politikanëve shqiptarë në ekzekutiv. Ata thonë se muzeu i alfabetit është indikatori i vetëm që ka ruajtur gjuhën shqipe në këtë qytet shqiptar, shkruan Alsat M.
“Aty ka mjaftë probleme të pazgjidhura. Mes partisë me kohë ato probleme nuk janë zgjidhur por edhe tash nuk zgjidhen. Ka disa probleme si në pikëpamje të mirëmbajtjes së objektit, si në pikëpamje të gjërave përcjellëse si shtëpi e shenjtë që është për popullin shqiptar. Mendoj se më shumë duhet bëhet si nga ana e ministrisë por edhe nga faktorët tjerë”, deklaroi Kamber Kamberi, profesor.
“Ne nuk jemi të kënaqur edhe pse qyteti jonë është qyteti i vetëm që i ka themelet e gjuhës sonë me baza mjaftë të forta. Bëjmë përpjekje dhe këmbëngulim që të mundemi të kemi përparim në këtë drejtim, mirëpo kjo nuk ka qenë e mundur deri tani edhe pse ne mundohemi me aq sa kemi mundësi”, tha Lindita Jusufi, profesoreshë.
Alsat kontaktoi edhe drejtorin e muzeut Nuer Arsllani për të pyetur rreth projektit të paralajmëruar një vit më parë për rinovimin e muzeut, por i njëjti nuk u përgjigj për këtë temë pavarësisht se na premtoi se do të prononcohet. Arsllani u arsyetua se është në takim me sekretarin shtetëror në ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi. Tentuam të marrim qëndrim edhe nga Shehabi, por edhe ai refuzoi.
Vitin e kaluar, në konferencën kushtuar 107 vjetorit të alfabetit shqip, autoritetet kishin premtuar se deri në këtë përvjetor do të realizohet projekti për rinovimin e godinës dhe se do të zgjidhet çështja pronësore me lokalet afariste në hyrje të ndërtesës së muzeut. Megjithatë, objektivi i kamerës tonë vërtetoi se në këtë drejtim, asgjë nuk është ndërmarrë.
.