Lajme

Mustafa nuk ia realizoi kërkesën Thaçit për 100 mijë dollarë për Hjustonin

By FerizajPress

September 09, 2017

Isa Mustafa e kishte pritur shumë keq mënyrën se si i pari i Shtetit kishte kërkuar që Kosova t’ju dalë në ndihmë qytetarëve në Hjuston të prekur nga Uragani. 

Thaçi kishte zgjedhur që përmes rrjetit social në Facebook t’i drejtohet kryeministrit në largim për ndarjen e 100 mijë dollarëve. 

Por i ashpër në reagimin e tij ka qenë Mustafa i cili bëri të ditur se për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë përmes rrjetit social të dielën, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjitimitetin.

E pavarësisht që Hashim Thaçi edhe me akte zyrtare e bëri një kërkesë të tillë, shuma e parave e kërkuar për Hjuston ka hasur në vesh të shurdhër.

Gazeta Express ka kërkuar sqarim nga Zyra e Kryeministrit nëse do të shqyrtohet ose jo kërkesa e Presidentit, por të njëjtët kanë refuzuar të japin përgjigje.

Megjithatë, Ministri i Financave Agim Krasniqi kishte thënë të hënën për Express se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Kryeministri pasi shkresa u është bërë atyre dhe ata duhet vendosur për këtë.

“Ende nuk është mbajtur mbledhja e Qeverisë për të vendosur për këtë. Megjithatë shkresa i është bërë Kryeministrit dhe është zyra e tyre ajo që vendosë për këtë”, kishte sqaruar Krasniqi.

Presidenti i vendit në statusin e tij për Hjustonin, ka thënë se Kosova ka probleme me varfërinë, por është shprehur se Kosova duhet të ndihmojë amerikanët për shkak të kontributit të tyre për Republikën e Kosovës.

“Ne, si shtet i ri, ende kemi probleme me varfërinë, por jemi popull solidar dhe që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, kur ne ishim pllakosur nga vuajtjet e luftës në fund të shekullit të kaluar”, ishte shprehur Presidenti në Facebook i cili më pas edhe solli reagimin e ashpër të Kryeministrit.

Mustafa ka thënë se si kryeministër e ka konsideruar të dhembshme dhe serioze fatin e viktimave dhe mbi një milion njerëzve të zhvendosur nga përmbytjet në Houston. Për këto çështje, sipas kreut të LDK’së, presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielën, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin./GazetaExpress/