Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të do të jetë faktor i fuqishëm për ruajtjen e paqes.
Lexoni postimin e plotë:
Të dashur miq,
Partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i bazuar në besimin reciprok ndërmjet njerëzve dhe elitave të të gjitha orientimeve politike, i krijuar dhe sprovuar për dhjetëra vjet me radhë.
Përkrahja e pazëvendësueshme amerikane ishte vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Populli i Kosovës është botërisht i njohur si populli më proamerikan në glob.
Andaj, lajmet e mira që na vijnë nga administrata amerikane nën lidershipin e Presidentit Trump janë të pritura dhe të nevojshme për të rikonfirmuar partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve.
Prania e KFOR-it amerikan në Kosovë është garanci e stabilitetit në krejt rajonin, ndërkaq formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera mike në kuadër të NATO-s, do të jetë faktor i fuqishëm për ruajtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale me të cilat mund të ballafaqohemi së bashku me vendet demokratike.