Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi gjigantin e prodhimit të nikelit, “Feronikeli”, në Drenas, ku siguroi punëtorët se do të angazhohet që ata të mos mbesin pa punë, dukë përkrahur këtë ndërmarrje.
Kryeministri me stafin e kabinetit të tij takoi menaxhmentin e lartë të kësaj fabrike për t’i parë ecuritë e zhvillimit më të fundit pas ndalimit të prodhimit ditë më parë.
Miltiadis Tragakis, drejtor gjeneral në “Feronikel”, njoftoi kryeministrin për gjendjen aktuale në këtë fabrikë dhe kërkoi ndihmën e qeverisë për të dal nga kriza si shkas i rënies së tregjeve për prodhimet e ofruara nga kjo fabrikë, raporton KP.
Kryeministri Mustafa e siguroi atë se do të angazhohet që të gjithë punëtorët e kësaj fabrike, 900 sosh, të mos mbesin pa punë. Ai tha se si Qeveri janë të përkushtuar që ta ndihmojnë këtë fabrikë për tejkalimin e krizës.
Ndryshe, kjo fabrikë ka ndërprerë prodhimin javën e kaluar, ndërsa deri më tani asnjë punëtor ende nuk ka ndërprerë punën.
Punëtorët sot u panë në fabrikë, jo për të punuar në shkritoren e fabrikës, por për mirëmbajtjen e saj.
Këta punëtorë sipas menaxhmentit do të jenë në vendet e punës së paku edhe tre muaj.
Përfaqësuesi i Sindikatës, Azem Nika tha se në takimin me kryeministrin nuk kanë marrë pjesë.