Lajme

Murtezaj pranon nderin nga Franca: Mbetem i përkushtuar për të mirën e njerëzimit

By FerizajPress

October 05, 2017

Titullin e lartë, Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës, ia ka ndarë në një ceremoni të veçantë, ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert.

Derisa e ka pranuar këtë medalje, Murtezaj ka thënë se për disa vite, në punën e tij akademike në Paris, ka takuar studentë dhe profesorë nga të gjitha kontinentet, njerëz që vijnë nga të gjitha kulturat e botës.

“Kam mësuar shumë mësime jetësore. Po ashtu gjatë punës time në Qeverinë e Kosovës kamë mësuar shumë gjëra. Por më e rëndësishmja është që në kohën që po jetojmë të gjithë duhet të bëhemi bashkë të punojmë për të mirën e njerëzimit dhe forcimin e paqes”, ka thënë Murtezaj, raporton Koha.net.

Murtezaj ka thënë se edhe në të ardhmen, kudo që të jetë, e çfarëdo që të bëjë, do të mbetet gjithmonë i përkushtuar për të mirën e përbashkët të njerëzimit dhe do t’i qëndrojë besnik i vlerave humaniste dhe i civilizimit perëndimor.

“Faleminderit pafund Francës dhe popullit të madh mik francez”, ka thënë ai.

Valon Murtezaj, profesor universitar në Paris dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, për merita të shquara, me dekret të Presidentit të Republikës franceze është dekoruar me Urdhrin Kombëtar të Meritës, ditë më parë.

Kjo dekoratë, u akordohet personaliteteve më eminente botërore, për merita dhe të arritura të shquara jetësore në fusha të ndryshme.

Urdhri Kombëtar i Meritës është krijuar në vitin 1963 nga Presidenti Charles de Gaulle, dhe bashkë me Urdhrin e Legjionit të Nderit janë dy urdhrat më të lartë të Francës.