Lajme

Muri rrënohet, Asociacioni formohet

By FerizajPress

January 26, 2017

Rrënimi i murit në veri të Mitrovicës nuk kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kështu thonë për “Zërin” zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, partitë opozitare insistojnë që ekzekutivi ta respektojë Rezolutën e Kuvendit për rrënimin e murit dhe mos të merret me themelimin e Asociacionit.

Ata madje vlerësojnë se nuk duhet të ketë mur ndarës në Kosovë e as “Zajednicë”.

Gecaj: S’ka datë për rrënimin e murit

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se ende nuk dihet data e saktë se kur do të rrëzohet muri në veri dhe kur do të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe.

“Jo, nuk kam data për këto çështje”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje që muri të rrëzohet në këmbim të krijimit të Asociacionit, ai ka thënë se këto dy çështje nuk ndërlidhen aspak mes vete.

“Edhe Asociacioni edhe muri do të ndeshen me ligjin. Në të dyja rastet do të veprohet konform ligjit dhe këto çështje nuk ndërlidhen”, është shprehur tutje Gecaj për “Zërin”.