Ferizaj

Murati për tërheqjen e 10% të Trustit vitin e kaluar: Ka qenë politikë e pandërgjegjshme

By FerizajPress

April 30, 2022

Ministri i Financave, Hekuran Murati, doli në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ku u morën disa vendime, duke thënë se synimi i kësaj qeverie është që të ketë rritje të mbështetjes për qytetarët.

Murati tha se në tremujorin e parë të këtij viti të hyrat kanë qenë 20 përqind më të larta sesa në vitin paraprak, ndërsa i pyetur për kërkesën e tërheqjes së 30 përqind të mjeteve nga Trusti, Murati tha se ndikimi do të ishte negativ në ekonomi.

“Efekti i tërheqjes së parë do të vërehet në financat publike, sepse na kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar rimbursimin. Tani në vend se të bëjmë politika fiskale me paret që i mbledhim në buxhet, të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët apo të rrisim pensionet, apo ti rrisim mbështetjet për familjet me asistencë sociale, duhet që 110 milionë euro me i marrë prej buxhetit, për ti rimbursuar ata që i kanë tërheq mjetet në vitin 2020. Këso politike e pandërgjegjshme ka qenë atëherë”, u shpreh Murati, transmeton Klankosova.tv.