Lajme

Murat Meha, 24 orë nën mbrojtjen e Policisë

By FerizajPress

August 12, 2016

Pas hedhjes së një mjeti shpërthyes të martën te shtëpia e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion Murat Meha, Policia e Kosovës i ka ofruar atij mbrojtjen e afërt.

Ditën kur ishte hedh ky mjet i dyshimtë, i cili pastaj u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga policia, Murat Meha kishte qenë duke mbajtur një konferencë për media bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, në të cilën e ka ripërsëritur se Kosova nuk ka humbur territor me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Gazeta Insajderi merr vesh se Meha e ka pranuar mbrojtjen, dhe vëzhgimin nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës për shkak të rrezikshmërisë pas këtij rasti, njofton Insajderi.

Meha pati reaguar menjëherë të martën, duke thënë se po i rrezikohet edhe familja.

“Ky është një sulm ndaj familjes time që po bëhet prej dorës së zgjatur që po mundohen të rrezikojnë gjithçka madje edhe familjen time”, ka thënë Meha.

Përveç Mehës, policia ka ofruar mbrojtje edhe për anëtarët e tjerë të këtij komisioni, mirëpo sipas burimeve të Insajderit, ata e kanë refuzuar këtë masë të sigurisë.

Gazeta ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, mirëpo ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare rreth kësaj çështjeje.