Ferizaj

Mungon përfaqësuesi i kompanisë “Bechtel-Enka”, dështon seanca civile për kompensim dëmi

By FerizajPress

July 27, 2018

Për të dytën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në çështjen civile ku paditësi Avdi Hashani, kërkon nga kompanitë “Bechtel-Enka” dhe “Jaha Company”, kompensim dëmi, pasi pretendon se gjatë punimeve për ndërtimin e autostradës i është dëmtuar shtëpia e tij që gjendet në fshatin Mirash të Ferizajt.

Seanca e caktuar të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk është mbajtur, kjo pasi që ka munguar përfaqësuesi i kompanisë “Bechtel-Enka”. Gjykatësit Ardian Ajvazi deklaroi se përfaqësuesit të kompanisë “Bechtel-Enka” mund t’i mos ketë arritur me kohë ftesa përmes postës, pasi sipas tij ka pas ngarkesë dhe vonesa në dërgimin e ftesave. Prandaj, seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 14 gusht, në ora 11:00.Paraprakisht kjo seancë ishte caktuar të mbahej më 9 korrik, mirëpo të njëjtës i ishte ndërruar data për shkak të grevës së punëtorëve administrativë të gjykatave dhe prokurorive. Ndryshe, edhe seanca e fundit, e caktuar të mbahej më 7 qershor, ishte shtyrë për arsye se ka munguar eksperti i minierave, Sefedin Kastrati, dhe përfaqësuesi i të paditurës së dytë, kompania “Jaha Company”, Paditësi Hashani, pretendon se me rastin e detonimit dhe eksploatimit të sipërfaqes tokësore, sidomos me datën 16 shtator 2016, kishte ardhur deri tek plasaritja e jashtme e shtëpisë dhe se sipas tij, ekziston rreziku që ato dëme të jenë edhe më të mëdha gjatë kryerjes së punimeve.

Sipas padisë, përveç caktimit të ekspertizës për dëmin e shkaktuar, paditësi Hashani, kërkon të realizohet edhe kamata ndëshkuese nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive si dhe të kompensohet për shpenzimet e procedurës kontestimore në afatin prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënim të dhunshëm./Lajmi.net