Lajme

Mungesa e targave dhe heshtja e paarsyeshme e prokurorisë

By FerizajPress

September 27, 2016

Zëvendësministri i punëve të brendshme Nehat Mustafa ka reaguar përmes një njoftimi në rrjetin social facebook për mungesën e targave.

Ndër të tjera ai ka thënë se shpallja e tenderit është bërë 13 muaj më herët po ende qytetarëve nuk u janë dhënë targat, dhe sipas tij, ankesat janë me të drejt.

Ai ka kërkuar nga prokuroria që të nis hetime për këtë çështje.

Postimi i plotë i Mustafës:  Kaluan gati një vit e qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të mos pajisen me target e automjeteve. Pra , qytetarëve padrejtësisht po ju mohet një e drejtë elementare siç është kjo e pajisjes me targa dhe deri më sot nuk ka asnjë dhënie të përgjegjësisë nga asnjë zyrtar institucional (nga radhët e MPB ose OSHP). Vendimet e MPB-së janë kontestuar në vazhdimësi nga ana e OSHP dhe si rezultat qytetarëve u jepen targa provuese me të cilat mund të lëvizet brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe përkohësisht edhe në Republikën e Shqipërisë, duke bërë që për momentin lëvizja me këto targa të jetë e ndaluar për në shtetet e tjera.

Nga shpallja e tenderit për herë të parë ( 17.08.2015) kanë kaluar plot 13 muaj . Odiseada e targave vazhdon megjithëse qytetarët kanë shprehur me shumë të drejtë pakënaqësinë e tyre.

Dikush është fajtor për këtë situatë të krijuar. Prokuroria duhet të filloj hetimet, sepse nuk ka asnjë mundësi që të kenë të drejtë të dy palët. Nëse zyrtarët e MPB-së kanë vendosur gabimisht, atëherë le të jenë ata që të japin përgjegjësi. Nëse ndodh e kundërta , pra që zyrtarët e MPB-së kanë vendosur drejtë dhe se vendimet e tyre padrejtësisht janë anuluar nga OSHP , atëherë këta të dytët duhet të japin përgjegjësi.

Unë nuk paragjykoj se cila është e vërteta dhe kush ka të drejtë. Qytetarët e meritojnë ta kuptojnë njëher e përgjithmonë se me fajin e kujt kanë mbetur gati një vit pa targa dhe të izoluar nga udhëtimet me makina jashtë vendit. E këtë përgjigje ata mund ta marrin vetëm mbasi prokuroria të zhvilloj një hetim në afat sa më të shpejt, ka shkruar në një postim të tij zëvendësministri i MPB, Nehat Mustafa.