Ferizaj

Mundësi bashkëpunimi mes UShAF dhe Kompanive ‘’AYT CAREER’’ dhe ‘’AlbaBerisha Consulting’’

By FerizajPress

January 18, 2018

Ferizaj.18.01.2018 . Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari priti sot në takim drejtorin e Kompanisë turke ‘’AYT CAREER’’, z. Hakan Bahadir SERT dhe drejtoreshën e Kompanisë ‘’Alba Berisha Consulting’’, znj. Albana Berisha, me të cilët u dakorduan që së shpejti të lidhin Marrëveshje Bashkëpunimi. Gjatë takimit u bisedua rreth mundësisë së bashkëpunimit në mes të UShAF dhe këtyre dy kompanive, për punësim sezonal të studentëve të Fakukltetit të Hotelerisë dhe Turizmit në shtetin e Turqisë, si dhe për mënyrat dhe modalitetet e bashkëpunimit. Rektori Bajraktari i falënderoi përfaqësuesit e kompanive për mundësinë e dhënë studentëve të UShAF dhe theksoi se përveç punës praktike që do të bëjnë studentët, ky bashkëpunim do të ndikoj në performancën profesionale të tyre, si dhe ngritjen e cilësisë në Universitet. ‘’Kemi studentë të përgatitur mirë, të përgjegjshëm, të cilët shpresoj se do të bëjnë përfaqësim dinjitoz të Universitetit gjatë kryerjes së punëve sipas Marrëveshjes, e cila do të bëhet në një të ardhme të afërt, kur edhe do të filloj implementimi i saj’’, tha Rektori. Ndërsa, z. Hakan Bahadir SERT, tha se kemi besim të plotë në studentët e UShAF, të cilët vijnë me një kulturë dhe traditë ndryshe nga vendet tjera me të cilat kemi Marrëveshje, andaj besoj se do të arrijmë rezultate të kënaqshme nga të dyja palët. Drejtoresha e Kompanisë ‘’Alba Berisha Consulting’’, znj. Albana Berisha, ndër të tjera foli rreth modaliteteve të Marrëveshjes lidhur me kriteret e studentëve që do të përzgjidhen, benefitet e studentëve, si: pagesa, akomodimi, ushqimi, sigurimi dhe udhëtimi i studentëve. Kompania turke, ‘’AYT CAREER’’, është e licencuar nga ministria përkatëse turke dhe vepron në vendet: Rusi, Kirgistan dhe Ukrainë, ku për çdo vit punëson studentë nëpër hotelet me renome në Antalya të Turqisë. Ndërsa Kompania ‘’Alba Berisha Consulting’’ nga Kosova është Kompani ndërmjetësuese e licencuar.