Lajme

Moska e brengosur: Amerikanët paguajnë për rrënimin e Gruevskit, siç e rrëzuan Millosheviqin

By FerizajPress

July 07, 2016

Marija Zaharova, zëdhënëse e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, deklaroi se opozita e Maqedonisë po përgatitet për revolucion të ri të larmë, të nxitur nga faktorë të jashtëm.

Duke folur në konferencë për shtyp, Zaharova tha se diplomatë amerikanë kanë qenë të përzier në protestat e paradokohshme në Serbi, me përdorimin e “një grupi të vogël agresiv të qytetarëve të paguar nga jashtë”, dhe shtoi se po vazhdojnë përpjekjet që të organizohen protesta të këtilla të reja në Maqedoni.

“Po përgatitet terreni për revolucion të ri të larmë, kësaj radhe në Maqedoni. Konstatojmë se praktika e përzierjes në punët e brendshme të shteteve është thellësisht e rrënjosur në Ballkan”, deklaroi Zaharova, e cila i vlerësoi protestat opozitare kundër presidentit maqedonas Gjorge Ivanov dhe Qeverisë si hyrje në një “revolucion” të ri.

Prej fillimit të publikimit të incizimeve nga ana e LSDM-së, Moska zyrtare disa herë ka reaguar me vlerësime se bëhet fjalë për projekt të organizuar dhe financuar nga jashtë, me qëllim që të ndërrohet Qeveria e Maqedonisë.

Në këtë mënyrë qeveria ruse tërë kohën ka përkrahur ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili akuzohet për vepra të rënda të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit, ndërsa të gjitha i mbulon me akuza për përzierje të do farë “shërbimeve të huaja” që gjoja duan destabilizim të Maqedonisë./MIA/