Sport

Molde e mposht lehtësisht Laçin në Ligën e Evropës

By FerizajPress

July 27, 2018

Kurbinasit nuk mundën dot të rezistojnë në takimin e parë të vlefshëm për turin e dytë kualifikues të UEFA Europa League, përballë skuadrës norvegjeze të Molde, e udhëhequr nga ish-sulmuesi i famshëm i Norvegjisë dhe Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer. Bardhezinjtë nga Shqipëria janë ndëshkuar që në minutën e 6’ pas një 11-metërshi të akorduar në favor të vendasve, e shndërruar në gol nga Haaland. Më pak se 20 minuta më vonë, Hestad ka dyfishuar avantazhin në favor të Molde, ndërsa James në të 79’ ka vulosur fitoren e norvegjezëve në shifrat 3-0, për të hedhur kështu një hap të sigurtë drejt kualifikimit. Ndonëse zyrtarisht gjithçka do të vendoset pas një jave, me të zhvilluar ndeshja e kthimit në Shqipëri, praktikisht skuadra kurbinase, në disavantazhin e tre golave, tashmë përgatitet të përfundojë aventurën europiane. Laçi arriti të kualifikohet për në turin e dytë të UEFA Europa League pasi eliminoi në turin e parë skuadrën qipriote të Anorthosis.