Lajme

Mjekët paralajmërojnë bojkot nëse nuk u rriten pagat

By FerizajPress

September 24, 2018

Mjekët që punojnë në sektorin publik kanë thënë se nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, atëherë do të ketë kolaps në sektorin e shëndetësisë dhe se ata do ta bojkotojnë punën.

Mjeku specialist në Kosovë për punën që kryen paguhet me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë vuan nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e tyre të jenë lineare, por ato duhet të kategorizohen.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se janë duke punuar në atë drejtim që të gjitha pagat në sektorin e shëndetësisë të ngrihen, por gjithashtu të ketë edhe kategorizime.

“Ditën e martë fillon debati mes Sindikatës dhe grupeve parlamentare, por edhe mjekëve nga parti të ndryshme. Nga qeveria kem informatë, që koeficienti në të cilën na kanë kategorizuar, nuk jemi të pajtimit. Jemi në koeficientit 5 për specialistë dhe 4.5 mjekët e tjerë, por infermierët janë kategorizuar shumë më poshtë. Ne nuk jemi të pajtimit”, tha Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

“Çdo veprim do të merret së bashku me punëtorët shëndetësorë. Nëse ata nuk janë të pajtimit me kategorizim, kam frikë se situata do të përkeqësohet. Janë duke pritur qe katër vjet t’u ngritën pagat. Janë ngufatur dhe mendoj që do të ketë bojkot”, shton Syla.

Sipas mjekëve, rrogat e tyre janë më vogla sesa të kolegëve të tyre në rajon.

Basri Lenjani, mjek specialist i emergjencës ka deklaruar se Ligji për pagat, i cili tashmë pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës , shpreson të kalojë pa ndonjë problem, dhe siç thotë ai, njëherë e përgjithmonë t’u kthehet dinjiteti punëtorëve shëndetësorë.

“Shëndetësia në Kosovë, menjëherë pas luftës, ballafaqohet me një pagesë minimale e që ka shënuar rritje ndër vite. Por, në pesë vjetët e fundit pagesat e mjekëve dhe infermierëve janë më të ulëta krahasuar me gjitha shtetet përreth. Mendoj se rritja e pagesës do të bëhet konform ligjit, e që duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Me ngritje të pagave do të ngritet edhe mirëqenia e mjekut dhe familjes së tij. E neve na mbetet që të vazhdojmë punën, t’u ofrojmë kujdes shëndetësorë gjithë qytetarëve”, thotë Lenjani.

Mjekët shpresojnë se në kohën kur në Kosovë të fillojë të aplikohet sigurimi shëndetësor, atëherë ata do të paguhen në bazë të performancës së tyre.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se do të ketë kategorizim pagash por edhe rrezikshmëria në punë do të paguhet më mirë se deri tani. Ai ka thënë se tashmë është bërë një grup punues pikërisht për këtë çështje.

“Ne kemi bërë një grup punues për sistematizim të vendeve të punës, si dhe rrezikshmëria në punë do të paguhet më mirë. Shihet një dritë e gjelbër se do të ketë përmirësim, por ajo që do të ndikojë dukshëm pozitivisht janë sigurimet shëndetësore, e që në bazë të performancës do të rritet edhe pagesa. Me çështjen e pagave më shumë është marrë Sindikata e Shëndetësisë, por ne kemi informata se pagat me rritje do të jenë të pranueshme për stafin shëndetësor”, ka thënë Sejdiu.

Punëtorët shëndetësorë në vazhdimësi kanë insistuar në realizimin e kërkesës së kamotshme për rritjen e pagave.

Në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se në proces janë disa reforma në shëndetësi, ku edhe rritja e pagave është një prej të rejave që mund të sjellin këto reforma.