Lajme

Misteri i vrasjes së Bedri Currit, ish-luftëtarit të UÇK-së (VIDEO)

By FerizajPress

April 23, 2016

Bedri Curri, 37 vjeç nga Korrotica e Epërme e Drenasit, i vrarë të enjten, ka shqetësuar tej mase qytetarët e Drenasit.

Këtë akt ata e komentojnë në mënyra të ndryshme, madje ka të tillë që këtë vrasje e lidhin edhe me Gjykatën Speciale.

Familjarët e viktimës thonë se as familja e as Bedriu s’i kanë pasur hak askujt.

Të enjten rreth orës 18:15, Bedriu u gjet i vrarë me një plumb në kokë në një mal në fshatin e tij, në afërsi të shkollës. Sipas babait, Vehbiut, Bedriu, i cili banonte me gruan dhe vajzën në Fushë Kosovë i ka telefonuar nënës së tij dhe i kishte thënë se do të kthehej në Korroticë ta shohë atë, pasi që do të shkonte në Drenas për një punë, shkruan sot gazeta Zëri.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Drenas, toger Driton Morina, tha se me këtë rast është duke u marrë policia rajonale dhe se çdo informacion duhet të merret atje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë, por nuk ka dhënë asgjë konkrete e as ndonjë detaj të ri për këtë rast, “përveç se trupi është gjetur pa shenja jete dhe se rasti është kualifikuar si vrasje”.

“Policia ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Rasti është cilësuar si vrasje”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ndonëse Policia nuk ka dhënë shumë detaje për këtë rast, njerëz që kanë parë vendin ku është gjetur viktima, por edhe të tjerë, kanë shprehur dyshimet e tyre se Bedriu është vrarë në ndonjë vend tjetër dhe pastaj është sjellë aty

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=WuUeMvm2Gys?feature=oembed]