Ferizaj

Misioni i OKB-së në Kosovë ndihmoi me 133 pako ushqimore e higjienike familjet ferizajase në nevojë

By FerizajPress

May 15, 2020

Solidariteti për të ndihmuar më nevojtarët e Komunës së Ferizajt që po përballen me vështirësi ekonomike shkaku i pandemisë së virusit COVID-19, po vjen nga shumë drejtime. Përveç nga bizneset lokale, donatorët vullnetmirë individual e grupor, së fundmi Komunës së Ferizajt, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i dhuroi 133 pako ushqimore e higjienike.

Pranimin e këtij kontigjenti e bën nënkryetari për Komunitete, Florim Bajrami dhe Albion Sherifi, i ngarkuar me çështjet e pakove sociale për familjet nevojtare në kuadër të Shtabit Emergjent të Komunës së Ferizajt. Ky i fundit në emër të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu shprehu falënderimin që në kuadër të mbështetjes për familjet në nevojë, drejtuesit Misionit të OKB-së në Kosovë zgjodhën edhe Komunën e Ferizajt për të ndihmuar familjet në nevojë.

E dorëzimin e këtij donacioni e bëri, drejtori i Zyrës së Komuniteteve në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Leonid Markaryan. Ai tha se Komuna e Ferizajt ka treguar rezultate domethënëse e mjaft suksesshëm ka menaxhuar pandeminë, me ç’rast me këtë mbështetje synohet të tejkalohet me më pak pasoja kjo gjendje, duke ndihmuar familjet në nevojë me pako ushqimore e higjienike. Ai tutje paralajmëroi se ditëve në vijim, Komunës së Ferizajt, misioni ku bën pjesë do t’i dhuroj edhe pajisje e mjete tjera mbrojtëse si dhe tabletë për shkollarët.