Ferizaj

Miratohet Projekt-Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2020-2022

By FerizajPress

September 30, 2019

Paraditen e sotme, anëtarët e Kuvendit të Komunës, u mblodhën në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës, me ç’rast pika më e rëndësishme e rendit të ditës ishte propozim vendimi për miratimin e projektbuxhetit të Komunës 2020-2022.Në fjalën e tij, përmes së cilës prezantoi objektivat ambicioze që përfshin ky projektbuxhet, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se qeverisja e tij është shembull i mirëplanifikimit financiar dhe se me përgjegjshmëri do të vijoj këtë qasje drejt përmbushjes së kërkesave e nevojave qytetare.

“Jam para jush, edhe për të hapur dritaren e investimeve të reja në Ferizaj, të cilin e ngërthen ky dokument që keni para vetes – Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2020. Sot, ngadhnjejnë nismat që i japin jetë, zhvillim e gjallëri çdo cepi të territorit nën administrimin tim. Në këtë buxhet janë të përfshira një mori projektesh të reja por edhe ato të mbetura e në nisje për të cilat jam besimplotë në përkrahjen direkte nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, për t’u finalizuar, për t’i dhënë drejtimin e merituar. Buxheti i vitit 2020 është 16.45% më i lartë sesa ai i vitit 2019 apo shprehur në vlerë buxhetore nga 30,934,846.00 € është rritur në 36,023,634.00€, ose 5,088,788.00€ më shumë për ferizajasit, për shërbimet komunale, infrastrukturën dhe nevojat e qytetit. Fjala ime në këtë moment nga më të rëndësishmit për shumicën tonë qeverisëse, ku Kuvendi është i thirrur ta votoj buxhetin e vitit 2020 është thelbësisht e tërësisht e bazuar në objektivin tonë ambicioz, nga përvoja e vitit të parë të qeverisjes ku tejkaluam pritshmëritë tona në arkëtimin e të hyrave vetanake dhe vullnetin e hekurt për të mirëmenaxhuar financat lokale. 2020-ta do ta gjej qytetin e fshatrat tona me zvogëlimin në një shifër të përqindjes së infrastrukturës së përgjithshme të pakompletuar. 2020 – ta ka buxhetin e orientuar ekzaktësisht në rritjen e kualitetit të shërbimeve publike. Ndërtimi i Qendrës së Re të Mjekësisë Familjare, shtëpisë së pensionistëve, ndërtimi i Kompleksit të Varrezave të Reja të Qytetit dhe mirëmbajtja e saj, ndërtimi i Kolektorit Verior të kanalizimit fekal, ndërtimi i Qendrës së Sporteve Luftarake, rikonstruktimi i Tregut të Gjelbërt në një model në gjithë vendin, modeli i ri i sinjalistikës rrugore apo rregullimi teknik i komunikacionit me shenja ndriçuese, ndërtimi i strehimores për qentë endacak, rregullimi i tregut të kafshëve, tregjet bujqësore, vendosja e hidrantëve, nisja e procedurave për ndërtimin e objektit të ri të Komunës, si dhe nisja e procedurave për ndërtimin e objektit të Stacionit të Autobusëve,rregullimi i vendpritjes për udhëtarët, funksionalizimi i Zyrës së Regjenerimit Urban, vazhdimi i aplikimit të mbështetjes për bizneset nga Fondi i Punësimit, si dhe investimet e jashtëzakonshme në ndërtimin e shkollave me theks të veçantë, ndërtimin e shkollës së re në Neredime dhe Gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” janë vetëm disa nga kryeprojektet që do të ngren shtatin e shohin dritën e realizimit gjatë vitit qeverisës 2020. Në lartësinë e detyrës që më ngarkuan qytetarët e Ferizajt, i përgjegjshëm për çdo cent të taksave të tyre dhe i obliguar që ta përmirësoj jetesën e tyre dhe familjeve të tyre, them se ky buxhet është thelbi i zhvillimit dhe ecjes sonë më të shpejt përpara. Andaj, edhe në konsideratën dhe obligimin tuaj ta përfaqësoni zërin qytetar, ju ftoj që ta votoni këtë buxhet” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në këtë seancë, me diskutime të shumta nga anëtarët e Kuvendit u miratuan edhe një varg vendimesh si: anulimi i vendimit 01 Nr. 3956 të datës 28.07.2004 të Kuvendit të Komunës dhe revokimin e destinimit për parcelën 708-2 Z.K, propozim vendimi për këmbinim e pjesëve të ngastrave kadastrale 00791-2, me 00792-2, 00793-0 Z.K. Talinoc i Muhaxherëve, propozim vendimi për këmbimin e ngastrave kadastrale 00707-2, 00708-2, 00707-1 me ngastrën kadastrale 749-6 Z.K. Ferizaj, propozim vendimin për marrjen e të drejtës së shfrytëzimit të parcelës 964-2 dhe 965-0 Z.K Ferizaj, propozim vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit 01 Nr. 129 të datës 31.03.2016, propozimin vendimin për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale 114 -0 Z.K Fshat i Vjetër, propozim vendime për rishqyrtimin dhe plotësimin e vendimit me Nr. 01. Nr. 82, propozimi vendimin për aprovimin e Rregullores për Rregullin dhe shërbimet komunale, informatë për përgatitjet e bëra për fillimin e vitit të ri shkollor 2019/2020, propozim vendimin për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale 23-2 ZK Ferizaj si dhe propozim vendimin destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale 527-0 ZK Varosh.