Lajme

Miqtë shqiptarë të besimit katolik, shtrojnë iftar për mulla Osmanin

By FerizajPress

June 14, 2016

Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, sot ka qenë mysafirë në Bec të Gjakovës, te miku i tij i besimit katolik, Marian Doda, i cili ka shtruar iftar për të në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Mulla Osmani ka postuar disa foto në profilin e tij në Facebok, në mesin e besimtarëve katolikë, për t’u kundërpërgjigjur atyre që mundohen t’i ndajnë shqiptarët mbi baza fetare.

Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Sot jam mysafir në iftar tek i nderuar dhe shume i respektuari Marian Ndoja nga fshati BEC Komuna e Gjakovës njëherit Drejtori i shkollës së fshatit, mik i imi dhe familjes time. Është i besimit katolik por me të cilët kemi jetuar me shekuj në respekt reciprok dhe mbajtur lidhjet vëllazërore. Ata te cilët fenë dhe besimin e kanë me bindje e përkushtim, dhe jo për para, interes apo kontrabandim jetojnë kësisoj pa asnjë problem. Shpresoj që të na shtohet numri i besimtarëve të sinqertë dhe mos të biem në grackën e atyre që fenë e kanë bërë para apo biznes …!? Për ata që kohet e fundit mundohen me mish e shpirt të na ndajnë në baza fetare kjo është një përgjigjeje. Edhe pas këtij iftari Mariani mbetet katolik e unë mbetem musliman por vëllezër të vërtetë. Ndërsa respekti ndërmjet nesh është shtuar dhe vazhdon. Shpresoj që kjo traditë e tolerancës të vazhdohet edhe nga gjeneratat e reja në të ardhmen… Respekt dhe nderim për familjen NDOJA, Zoti ju nderoftë.!” (sic.), ka shkruar ai.