Ferizaj

Ministrja e Financave: Qeveria mbulon policën e sigurimit, mund ta shkarkoni vetëm në telefon

By FerizajPress

August 01, 2020

Hykmete Bajrami, ministre e Financave, ka bërë të ditur se që nga sot bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të paguajnë policën e sigurimit.

Ministrja e Financave të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se bashkatdhetarët mund ta shkarkojnë falas policën e sigurimit (http://www.bks-ks.org), pas vendimit të Qeverisë, dhe të mos e shtypin, por ta tregojnë në telefonin e tyre.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë bëhet edhe shmangia e kolonave të gjata në kufi.

“Prej sot, 1 gusht 2020, e deri në fund të këtij viti, Qeveria e Kosovës mbulon koston e plotë të primit të policës së sigurimit për auto-veturat tuaja. Polica e sigurimit shkarkohet në uebfaqen e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS – http://www.bks-ks.org), mund ta mbani në telefonin tuaj dhe kështu ju mund të shmangni krijimin e radhëve të gjata para sporteleve të BKS”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami ka bërë thirrje të respektohen rekomandimet e IKSHK-së dhe Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19.

“Ju lutem shumë që gjatë ardhjes, e sidomos gjatë qëndrimit tuaj në vendin tonë, të respektoni të gjitha rekomandimet e IKSHKP-së. #maska #distanca sociale #higjiena”, shkruan Hykmete Bajrami.

Të mërkurën, Ministria e Financave dhe BQK kishin nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë  Punëve të Brendshme, Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Byronë Kosovare të Sigurimit për mbulimin e primit të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të primit të sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar nga ministrja Hykmete Bajrami.

“Për të gjitha veturat dhe motoçikletat që hyjnë në Republikën e Kosovës dhe janë subjekt i kësaj Marrëveshjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon njëqind për qind (100%) të vlerës së primit të policës kufitare”.

Subjekt i kësaj marrëveshjeje janë të gjitha veturat e bashkatdhetarëve dhe të huajve që janë nën regjimin e Kartonit të Gjelbër dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, përjashtuar veturat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë.

Polica e sigurimit mund të shkarkohet në platformën elektronike (online) të autorizuar nga BKS, ose në formë fizike në zyret e BKS-së në pesë (5) pikat kufitare: Vërmicë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë, Merdarë dhe Kullë. Kjo marrëveshje fillon të zbatohet nga data 01.08.2020.

Pas nënshkrimit, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami theksoi se me këtë veprim Qeveria e Kosovës ka zgjidhur një çështje të kamotshme përmes së cilës do të lehtësohet ardhja e bashkatdhetarëve tanë në Republikën e Kosovës duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes në pikëkalimet kufitare të vendit tonë.