Lajme

Ministria e Shëndetësisë: Do të vazhdojmë ndihmën për 3-vjeçarin nga Podujeva

By FerizajPress

September 11, 2016

Rrahmani ka treguar se Ministria do të vazhdojë ndihmën edhe për gjetjen e mjeteve për transplantimin e veshkave.

Në këtë deklaratë, Ministria ka bërë thirrje të mos ketë deklarime joetike por të fokusohemi te ndihma ndaj trevjeçarit, transmeton Express.

Deklaratë e Ministrisë së Shëndetësisë rreth rastit të pacientit B. K. nga Podujeva

Prishtinë, 11 shtator 2016

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të informojë opinionin se që nga nëntori i vitit të kaluar është marrë me rastin e tre vjeçarit B. K. nga Majaci i Podujevës, rasti i të cilit është publikuar dje e sot në media, bashkë me thirrjet për ta ndihmuar atë në transplantimin e veshkëve jashtë vendit.

MSh, ka pranuar në nëntor të vitit të kaluar kërkesën e familjarëve të pacientit B. K. përmes Zyrës për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore dhe duke shqyrtuar me seriozitetin më të madh kërkesën, ka mbështetur trajtimin e tij në Turqi (në nëntor 2015 dhe janar 2016), sipas diagnozës dhe shumës së mjeteve që asokohe janë kërkuar për trajtimin e tij, në bashkëpunim të ngushtë me familjen Kurtolli, të cilët janë shprehur falënderues për reagimin dhe ndihmën e Ministrisë.

MSh, gjithashtu është informuar sa pacienti, pas një trajtimi më shumë se katër mujor së fundi në Shqipëri, është kthyer para pak ditësh për trajtim në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët aty, kanë konstatuar se pacienti ka nevojë për një transplantim të veshkëve jashtë vendit.

Duke shprehur falënderimin e saj për korrektësine e familjes Kurtolli, e cila në vazhdimësi ka falënderuar për ndihmën e ofruar, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të informojë opinionin se është në kontakt me familjarët e fëmijës, për të shqyrtuar të gjitha opsionet brenda kuadrit ligjor dhe mundësive financiare, që pacientit, t’i ofrohet përkrahja për trajtimin e mëtejmë të tij, ndërkohë që vlerëson gatishmërinë e të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e ndihmës për këtë pacient.

Me që bëhet fjalë për një rast, ku përveç mjeteve financiare, kërkohet edhe gjetja e donatorit të veshkës për fëmijën, MSh kërkon nga të gjithë raportuesit rreth rastit që të vetpërmbahen nga deklarimet eventuale jo etike, duke konsideruar se interesimi të gjithëve është që së bashku të ndihmohet fëmija.