Lajme

Ministria e Mjedisit pajtohet që të paguajë borxhet ndaj kryeqytetit për shpronësimet

By FerizajPress

August 17, 2018

Në takimin mes U.d Ministrit Matoshi dhe Kryetarit Ahmeti u diskutua rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, me theks të veçantë në realizimin e projekteve, trajtimin e ujërave të zeza, reduktimin e ndotjes së ajrit, krijimin e zonave të gjelbërta, krijimin e hartës zonale të kryeqytetit etj.

U.d Ministri Matoshi prezantoi projektet në fushën e ujërave dhe mbeturinave të cilat këtë vit MMPH po realizon në kryeqytet si dhe shfaqi vullnetin e tij dhe ministrisë që drejton për të mbështetur komunën e Prishtinës me projekte edhe për vitin 2019.

Me këtë rast Matoshi theksoi se kryeqyteti meriton një trajtim dinjitoz  për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, menaxhimin e duhur të mbeturinave, reduktimin e ndotjes së ajrit, trajtimin e ujërave të zeza si dhe krijimin e një planifikimi të duhur hapësinor.

Nga ana tjetër Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti falënderoi U.d Ministrin Matoshi dhe MMPH-në për përkrahjen dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë, me qëllim që bashkërisht të përmirësojmë gjendjen e mjedisit në kryeqytet.

Kryetari Ahmeti kërkoi nga U.d Ministri Matoshi po ashtu që të fillojnë sa ma shpejtë procedurat për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza si dhe paralelisht më këtë proces të ndërtohen dhe kolektorët që do të lidhen me këtë impiant.

Në fund U.d Ministri Matoshi e  Kryetari Ahmeti u dakorduan që javën e ardhshme të  nënshkruajnë 3 memorandume të bashkëpunimit, një për pagesën e borxhit të shpronësimeve që ka ministria ndaj komunës dhe dy memorandume për realizimin e  projekteve në fushën e mjedisit./Lajmi.net/