Mbi 25 mijë persona kanë qenë të angazhuar gjatë procesit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe komisionerët. Por pas përfundimit të këtij procesit kanë filluar ankesat rreth mospagesës së disa prej tyre.
Indeksonline ka pranuar një numër të mesazheve nga vet këta komisioner të cilët pohojnë që nuk janë paguar për punën e bërë gjatë zgjedhjeve. Sipas tyre ata nuk janë paguar as për zgjedhjet e 22 tetorit dhe as për ato të 19 nëntorit.
Por sipas zyrtarëve të KQZ listat janë dërguar në Ministrinë e Financave kurse tash pritet ekzekutimi i pagesave nga ana e këtij dikasteri.
Nga ana tjetër zyrtari për Informim i kësaj ministrie, Muharrem Shahini tha se obligimet ndaj 27.485 personave janë kryer dhe parat janë transferuar në llogaritë e tyre por që kjo nuk është lista e plotësuar. Ai tha se ditën e enjte nga KQZ janë pranuar edhe dy lista me 1.007 persona të cilat tashmë janë duke u proceduar për pagesë.
“Lidhur me çështjen e pagesave nga KQZ për komisionarët e angazhuar në zgjedhjet lokale, Thesari/Ministria e Financave ka ekzekutuar deri tani gjithsej 27,485 pagesa sipas listave të dërguara nga KQZ, në një proces gradual disa ditor.” ka thënë Shahini.
Sa i përket mos pagesës së komisionerëve për zgjedhjet e 22 tetorit, Shahini tha se ka pasur disa raste të gabimeve në të dhëna dhe si rrjedhojë mjetet janë kthyer prapa. Ai shtoi se atëherë kur të korrigjohen të dhënat do të kryhet edhe pagesa e këtyre komisonerëve.
“Nga pagesat e ekzekutuara ka pasur raste të cilat janë kthyer prapa mjetet për shkak të gabimeve në të dhëna dhe sapo janë korrigjuar apo ne momentin e pare qe do korrigjohen do të ri-procedohen për pagesë përsëri në një afat optimal” shtoi Shahini.
Kurse Shahini përgjithësinë për korrigjimin e listave ia hodhi KQZ-së duke thënë se ata janë përgjegjës për saktësimin e tyre dhe sapo kjo punë të kryhet Thesari do të ekzekutoj pagesat e komisionerëve.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur në dy raunde, fillimisht më 22 tetor për tu përsëritur me rastin e balotazhit më 19 nëntor. Kurse pas vendimit të Gjykatës Supreme pritet që në rivotim të shkoj përsëri komuna e Istogut.