Ferizaj

Ministri Zemaj vizitoi Ferizajn, mbështetje për mjekët e infermierët dhe projektet kapitale të shëndetësisë

By FerizajPress

December 18, 2020

Këtë mesditë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu ishte nikoqir i vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj në Ferizaj, vizitë kjo që u zhvillua me qëllim të njohjes më për së afërmi me situatën e pandemisë së virusit COVID-19 në Ferizaj si dhe investimeve në infrastrukturën shëndetësore që po ndodhin në Ferizaj.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu që në takim shoqërohej edhe nga drejtor i Shëndetësisë, Bekim Ademi dhe drejtori i Urbanizmit, Lulzim Aliu njoftoi ministrin Zemaj mbi hapat që janë ndërmarr nga Shtabi Emergjent Lokal në lidhje me situatën pandemike, porse gjithashtu edhe për ecurinë e realizimit të projekteve kapitale në fushën e shëndetësisë në Ferizaj.

Dinamika e re e punës në ndërtimin e Spitalit të Ri të Ferizajt dhe ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ishin temë bosht sa i përket investimeve kapitale, për të cilat Kryetari Aliu mori mbështetjen e ministrit Zemaj.

“Sot jemi këtu te Spitali i Ri, ku po i shohim se janë duke u vazhduar punimet dhe në bazë të asaj që kemi pasur edhe dy javë më parë me ministrin, edhe sot jemi dakorduar që operatori, përkatësisht kompania, do të ketë krejtësisht një dinamikë tjetër të punës në mënyrë që Spitali i ri i Ferizajt të përfundoj. Gjithsesi, duhet cekur edhe njëherë faktin se pavarësisht se Spitali është në ndërtim e sipër, nuk ka mbetur asgjë mangët për të marr shërbimet. Mirë do të ishte që Spitali të ishte gati para pandemisë që edhe pacientët edhe mantelbardhët të kishin kushte më të mira për të ofruar dhe marr shërbim por sidoqoftë, ne e kemi kryer detyrën në mënyrën më të mirë dhe edhe njëherë shpreh falënderimin për gjithë udhëheqjen e institucioneve shëndetësore ndërsa Spitali, me dinamikën e re dhe zotimin e ministrit, besoj se do të jetë brenda kontratës që të përfundohet dhe që praktikisht, të përfundohet odisejada e Spitalit dhe përfundimisht Regjioni i Ferizajt dhe Ferizaj të ketë spitalin e tij të merituar por mbi të gjitha të kenë ta merituar mantelbardhët dhe pacientët që do të marrin shërbimet këtu” tha mes tjerash Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Pas pritjes në zyrën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ministrin Zemaj, vizituan Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ku takuan drejtuesit e institucioneve shëndetësore lokale e ku më pas ndoqën edhe punimet që po kryhen për ndërtimin e Spitalit të Ri të Ferizajt. Ministri Zemaj dha garancat e mbështetjes për projektet e tilla kapitale për Ferizajn, duke vënë theksin edhe në përkrahjen me kapacitete infrastrukturore dhe humane për menaxhimin e pandemisë.

“Po e shihni edhe nga ky takim, edhe nga kjo pamje, ne po e përcjellim logjikën por edhe parimin e frontit të përbashkët në luftimin e pandemisë, por mbi të gjitha edhe të avancimit të shërbimeve shëndetësore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ministria e Shëndetësisë është kujdesur në dy nivele, e para ngritja e kapaciteteve të infrastrukturës që nënkupton pajisje dhe mjete mbrojtëse, dhe kapaciteteve humane ku Ferizaj ka përfituar edhe nga specializimet por do të përfitoj edhe nga konkursi për të punësuarit të cilët janë specialistë të papunë por edhe për përkrahje tjetër humane sipas nevojave dhe planifikimeve që ka sjellë menaxhmenti i Spitalit Rajonal. Ne do ta shtojmë edhe përkushtimin në infrastrukturë, edhe për Spitalin e Ferizajt por edhe për Qendrën e Mjekësisë Familjare të cilat Ministria e Shëndetësisë do t’ia besoj Kryetarit dhe Komunës si projekt i inicuar dhe i mbështetur nga ne dhe i cili do të jetë në shërbim të avancimit të shërbimeve për qytetarët e Ferizajt por mbi të gjitha primare për ne është shtytja tutje e dinamikës së punimeve të këtij Spitali, i cili nuk e mbulon vetëm Ferizajn por e mbulon të gjithë rajonin” tha mes tjerash ministri Zemaj.

I pyetur në lidhje me punimet dhe fondin e ndarë për Spitalin e Ri të Ferizajt, ministri Zemaj siguroi se nuk do të ketë ndërprerje të punimeve, madje theksoi se do të rritet dinamika e punës që të përfundohet sa më shpejt ky projekt.

“Ka qenë edhe e njohur që këtu ka pas një kohë ndërprerje të punimeve për shkak të disa procedurave teknike dhe ligjore, interesimi i Kryetarit dhe imi si Ministër, përkundër menaxhimit të situatës pandemike kemi ardhur deri tek përfundimi i shpejt që të vazhdojnë punimet, asnjë cent nuk do t’i mungoj Spitalit të Ferizajt, bile bile synojmë që ta shtojmë dinamikën e punës, duke kërkuar nga operatori dhe menaxheri i kontratës, mbikqyrje ditore dhe raportim javor tek unë dhe Kryetari i Komunës që Spitali të përfundoj sa më shpejt” tha ministri Zemaj.