Ferizaj

Ministri Likaj inspekton shkollat e Ferizajt për masat anti-covid, vlerëson punën e Drejtorisë së Arsimit gjatë pandemisë

By FerizajPress

November 02, 2020

Këtë paradite, ministri i Arsimit, Ramë Likaj vizitoi disa nga shkollat në Ferizaj. Ai u prit nga nënkryetari i Komunës, Arton Gavazi dhe i pari i Arsimit, Afrim Llabjani. Arsye thelbësore e vizitës së ministrit Likaj ishte inspektimi i shkollave për zbatimin e masave anti-covid si dhe të njihet nga afër me sfidat e arsimit në kushte pandemie.

I pari i Arsimit në Ferizajt, Afrim Llabjani i paraqiti ministrit Likaj një pasqyrë të plotë mbi angazhimin e nivelit lokal në mënyrë që shkollat të jenë të mirëfurnizuara me materiale higjienike e të mos i mungojnë pajisjet e materialet bazë mbrojtëse.

Ministri Likaj dha vlerësime të larta për punën e Drejtorisë së Arsimit dhe Shtabit Emergjent Lokal në menaxhimin e pandemisë në sferën e arsimit, duke përgëzuar edhe autoritetet lokale që i kanë furnizuar shkollat me materiale e pajisje mbrojtëse kundër virusit COVID-19.