Ferizaj

Ministri Krasniqi vizitoi Komunën e Ferizajt

By FerizajPress

April 21, 2021

21 prill 2021, Ferizaj

Në vazhgën e vizitave në Komuna, sot ministri i MAPL-së, z. Elbert Krasniqi vizitoi Komunën e Ferizajt me ç’rast u mirëprit nga kryetari i komunës, z. Agim Aliu.

Kryetari Aliu i uroj mirëseardhje dhe gjithashtu e uroj Ministrin për marrjen e detyrës së Ministrit të MAPL-së.

“Sot, prita Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilin ngrita shumë çështje që preokupojnë jo vetëm Komunën që drejtoj, por të gjitha komunat, siç është domosdoja e vendimit për kthim në pronësi të Komunës të pronave nën menaxhimin e AKP-së, ndryshimi i kritereve dhe kategorizimi i komunave në performancën komunale, detyrimet  nga Kontrata Kolektive që paraqesin barrë të rëndë për buxhetet komunale dhe të tjera çështje, të cilat jam besimplotë se do të adresohen dhe marrin zgjidhje meritore” ka thënë Aliu.

Ministri z. Elbert Krasniqi u shpreh se qëllimi i këtyre vizitave është njohja me problemet që komunat janë duke u ballafaquar e sidomos me problemet që ka shkaktuar pandemia COVID -19 në nivelin lokal. Lidhur me këtë ministri shtoi se jemi në proces të përgatitjes së një studimi për ndikimin e pandemisë në nivelin lokal, ku përpos identifikimit të problemeve do të na mundësonte edhe adresimin e tyre përmes zhvillimit të planeve emergjente për rimëkëmbje ekonomike dhe organizimin e konferencës së donatorëve dhe investitorëve për zbatimin e këtyre planeve.

Ministri Krasniqi theksojë se MAPL-ja është e hapur për bashkëpunim dhe përkrahje të komunës së Ferizajt si dhe me të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës.