Lajme

Ministri i Arsimit jep një lajm të ‘keq’ për studentët, do t’i nënshtrohen një provimi para diplomimit

By FerizajPress

January 24, 2018

Studentët në Kosovë që studiojnë në institucione publike dhe private mund të jenë të detyruar t’i nënshtrohen një provimi shtetëror i cili determinon diplomimin e tyre dhe kategorinë e diplomës që e fitojnë. 

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se në vazhdën e reformave që kjo ministri po planifikon me mendimet e ekspertëve, po shqyrtohet seriozisht mundësia për një provim shtetëror për të para-diplomuarit.

“Pas përfundimit të provimeve të një programi të caktuar dhe për ta marrë një diplomë duhet të nënshtrohet provimit shtetëror, ky është diskutimi i parë i ekspertëve… ne kemi një ligj që kërkon provimin shtetëror për profesionet e rregulluara por ne po tentojmë ta ndryshojmë, ta fusim në të gjitha profesionet”, tha Bytyqi per Kallxo

Bytyqi po ashtu bëri publike idenë që diplomat e marra në institucionet e arsimit të lartë të klasifikohen sipas cilësisë.

“Ne kemi pasur takime me kolegjet private, me të gjithë rektorët…Në rast se këta nuk ndërmarin asnjë hap ne kemi thënë që ne nuk do të rrimë kot, do të marrim veprime konkrete, një ndër masat që pritet të jetë, jemi duke punuar në Ligjin për Arsimin e Lartë, do të vendosim provim shtetëror. Ideja e parë është që mund studentit ti klasifikohet diploma. Pra dikush mund të ketë diplomën e barasvlerës 1 dhe 2 një tip tjetër i diplomave me nivel më të ulët”, tha Bytyqi.

Bytyqi që ka marrë postin e Ministrit të Arsimit gati 5 muaj më parë po ashtu ka vënë në tavolinë projektin e reduktimit të gjashtë universiteteve të Kosovës në vetëm dy.

Gjashtë universitetet publike që ekzistojnë në Kosovë ishin krijuar në kohën e ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kjo po konsiderohet veprim i ngutshëm nga Ministri Bytyqi.

“Ajo çfarë është në të kaluarën në momentin e hapjes, pa dashur të diskutoj pse janë hapur gjithë këto universitete nuk është bërë një vlerësim i nevojave të hapjes së universiteteve publike…dhe kur gjërat bëhen pa vlerësim ka një risk të madh që gjërat të mos funksionojnë”, tha Bytyqi.