Ferizaj.07.02.2018 . Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Bashkim Hyseni si dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha, pasditen e sotme kanë zhvilluar një takim me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi. Në këtë takim janë diskutuar një mori çështjesh në fushën e arsimit, që presin mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’u implementuar suksesshëm në shkollat e komunës së Ferizajt.
Me këtë rast, kryetari Aliu ka falënderuar ministrin Bytyqi për mbështetjen e ofruar ndaj Komunës së Ferizajt ku ndër të tjera është theksuar nevoja për prioritet të arsimit profesional dhe synimin e qeverisjes së re komunale për ndërtimin e dy shkollave të reja në territorin e Ferizajt.
Të dy palët u dakorduan për angazhim maksimal si dhe ndërveprim në mes ekipeve përkatëse për të filluar realizimin e kërkesave të Komunës së Ferizajt ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që do të rezultoi me përmirësim të cilësisë në arsim, si në planin infrastrukturor ashtu edhe në promovimin e arsimit profesional që do të krijonte një mundësi të re për punësimin e shumë të rinjve.
Takime të kësaj natyre do të zhvillohen edhe në vijim me qëllim që të forcohet raporti ndërinstitucional në dobi të përmirësimit të infrastrukturës si dhe rritjes së cilësisë në arsimin ferizajas.