Ferizaj

Minimaratona “Vrapojmë me Policinë tonë”, ndihmoi 18 familje në nevojë

By FerizajPress

June 16, 2022

Paraditën e sotme, në hapësirat e jashtme të Stacionit Policor në Ferizaj, u zhvillua aksioni për shpërdarjen e pakove ushqimore dhe higjienike, si rezultat ky i mjeteve financiare të grumbullura nga mbajtja ditë më parë e Minimaratonës “Vrapojmë me Policinë tonë”, organizuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Kuvendin e të Rinjve në Ferizaj në kuadër të Ditëve të Kulturës 2022.

Nga mjetet financiare të grumbulluar nga Minimaratona “Vrapojmë me Policinë tonë”, sot u ndihmuan 18 familje në nevojë, me pako ushqimore dhe higjienike, në vlerën njëqind euro. Në shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike, morën pjesë, drejtori i Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës, Basri Shabani, Udhëheqësja e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi Braha, Albion Sherifi – Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, anëtar nga Kuvendi i të Rinjve në Ferizaj dhe zyrtarë të tjera të pranishëm nga institucionet lokale.

Drejtori Shabani, tha se ky aktivitet, pra minimaratona “Vrapojmë me Policinë tonë” po zhvillohet për disa vite me radhë dhe si e tillë, fondet e grumbulluara gjithnjë i janë dedikuar kategorive më  në nevojë në Komunën e Ferizajt, gjersa Udhëheqësja e Qendrës për Punë Sociale, Adelina Rexhepi Braha, tha se për këtë donacion janë përzgjedhur rastet më në nevoje në Komunën e Ferizajt, që sadopak t’i ofrohet një mbështetje.

Minimaratona “Vrapojmë me Policinë tonë” është tashmë një aktivitet tradicional në Komunën e Ferizajt, i cili u mbajt ditë më parë në kuadër të Ditëve të Kulturës, ku u shpallën edhe vrapuesit fitues në këtë garë.