Meta takohet me Bashën, pajtohen për Vettingun

By FerizajPress

August 01, 2016

Lulzim Basha dhe Oerd Bylykbashi hynë sërish në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ku u takuan me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Në deklaratën e shpërndarë nga kreu i Kuvendit thuhet se me Bashën dhe Bylykbashin “u konsultua për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të Ligjit për Vettingun”.

“Në takim u dakortësua në parim nevoja për miratimin me përparësi, brenda muajit gusht të Ligjit për Vettingun, si dhe mbi kalendarin e shqyrtimit të këtij ligji sipas procedurave kushtetuese parlamentare, duke filluar nga dita e nesërme me mbledhjen zyrtare të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi”, thuhet në deklaratë, transmeton top channel.

Në deklaratë thuhet se Meta ka marrë mbështetjen e Bashës dhe se “opozita do të marre pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për Ligjin e Vettingut në mbledhjen e ditës së nesërme”.

“Kryetari i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit”, thuhet më tej në deklaratë.

.