Kryeministri Edi Rama, Kreu i PD, Lulzim Basha, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, dhe dy ambasadorët, ai amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin të mblidhen në Kuvend dhe të gjejnë një zgjidhje konsensuale për reformën, ka cilesuar ai ne nje konference per shtyp nga Kryesia e Kuvendit.
“Meqenëse Shqipëria është Republikë parlamentare dhe unë jam kryetar i parlamentit i ftoj të dy aktorët politikë kryesorë, por pse jo dhe dy ambasadorët kryesorë zotin Lu dhe zonjën Vlahutin, që ne të mbyllemi këtu në Kuvendin e Shqiëprisë, këtu ku na ka sjellë sovrani për t’i dhënë drejtësi për të ardhmen”, tha Meta.
Të takohemi të 5-të unë si kreu i kuvendit,dy kryetarët e forcave kryesore poltike, dy ambasadorët e SHBA dhe BE dhe të mbyllemi e të mos dalim nëse nuk arrijmë një konsensus nëse nuk i japim një zgjidhje. Të gjithë jemi votuar për ketë gjë dhe të gjithë duhet mbajmë përgjegjësi për këtë gjë.
Sipas tij, udhëheqësit aktualë të politikës shqiptare duhet të bëjnë përpjekjet ekstreme për ta shndërruar reformën në drejtësi në një histori suksesi për të gjithë shqiptarët.
“Nuk kemi të bëjmë thjesht me ndryshime kushtetuese, por thuajse me një Kushtetutë të re të Republikës së Shqipërisë, sepse janë ndryshime thelbësore. Nuk më ka pëlqyer aspak historia si ka filluar historia e reformës në drejtësi, gjë që e kam bërë të ditur për të gjithë ndërkombëtarët. Jemi sot në momentin kur reforma mund të asfiksohet nga vapa që ka filluar. Përpjekjet për të shpikur fajtorë dhe për të mos gjetur konsensusin duhet të marrin fund nga aktorët e përfshirë, përfshi këtu kreun e Partisë Socialiste dhe kreun e Partisë Demokratike, por edhe mbështetësit e kësaj reforme. Kam kërkuar me kohë dialog të nivelit të lartë bazuar mbi mendimet dhe rekomandimet e OPDAT, EURALIUS dhe Komisionit të Venecias. Pavarësisht klimës në të cilën është zhvilluar kjo reformë, kemi vënë re shkëmbime të vazhdueshme të akuzave se kush e ka vendin në burg sipas reformës së re të drejtësisë. A thua se kjo reformë bëhet thjesht për të futur disa politikanë në burg. Kjo reformë nuk është pronë e politikës, por detyrë dhe përgjegjësi e saj për t’i dhënë zgjidhje. Njëkohësisht edhe për t’u thënë qytetarëve shqiptarë, se përmes kësaj reforme vendi ynë do të bëhet më i mirë për ta”, ka deklaruar ndër të tjera kryeparlamentari Meta.
Mbi mënyrën sesi duhet të zhvillohet takimi i propozuar prej tij në Kryesinë e Kuvendit, Meta tha se, “Jo duke e filluar takimin se kush do të shkojë i pari në burg. Me të tilla sjellje ne shkatërrojmë konsensusin dhe frymën konstruktive të kësaj reforme. Nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë se ai apo ajo do të shkojë në burg. Nëse duam reformë, gjithçka duhet nisur nga e folura: unë do të shkoj në burg nëse kam shkelur ligjet e këtij vendi”, shpjegoi Meta.
Ndërsa në rast rreziku të dështimit të miratimit të kësaj reforme, Ilir Meta parashikon skenarë aspak të mirë për vendin, Meta shtoi se, “këtu kemi të bëjmë me një Kushtetutë të re, me institucione të reja, të cilat do të mbajnë peshën kryesore të suksesit apo të dështimit të kësaj reforme, që nuk bëhet vetëm për zgjedhjet e radhës, por për të paktën 30 vitet e ardhshme të këtij vendi, kohë gjatë së cilës shumë prej nesh nuk do të mund të jemi më në politikë. Unë shoh një rrezik tepër serioz jo për politikanët, por për vendin, nëse kjo reformë nuk do të miratohet me konsensus, sipas Venecias, e padyshim edhe sipas standardeve europiane dhe euroatlantike. Shoh rrezikun e dështimit të saj, sepse mazhoranca aktuale nuk i ka 93 votat, por edhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës, unë ju them me bindje se ky mund të hapë një situatë krejt të re për vendin, që nuk do të jetë ajo e forcimit të institicioneve dhe shtetit ligjor, e paanshmërisë së institucioneve të reja që do të dalin prej kësaj reforme, por një kapitull afatgjatë destabiliteti në këtë vend për shkak të kundërshtimeve të reformës së miratuar në mënyrë të njëanshme. Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një Maqedoni, për shkak të mungesës së konsensusit”, paralajmëroi kreu i Parlamentit, Meta.
Meta theksoi se mbështet deklaratën e ndihmës sekretares Nuland. “Mbështes fuqimisht deklartën e ndihmës sekretares Viktoria Nuland për të arritur konsensusin. Mbështesim dhe propozimin hybrid, por konsensusi është i domosdoshëm. Prandaj ne duhet të kyçemi të pestë për të dalë para shqiptarëve për ta bërë këtë reformë”.
Meta deklaroi se nëse reforma në drejtësi nuk miratohet të largohemi nga politika. “Nëse kjo reformë nuk do të miratohet më mirë largohemi nga politika. Por reforma duhet miratuar me konsensus. Mosmiratimi i reformës të enjtën është një hap prapa për vendin dhe miratimi në mënyrë jokonsensuale mund të hapë një situatë të re për të krijuar një paanshmëri në institucionet e reja”.