Kërkesat i kanë goxha të larta, por punën nuk po rezulton se e kanë fort merak.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës është pajtuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës që pushimi dimëror të zgjatet nga 16 ditë në një muaj të plotë, shkruan lajmi.net.
Ani pse jo të gjitha shkollat e mbajnë mësimin fizikisht në shkolla ky vendim i Qeverisë së Kosovës në funksion të luftimit të pandemisë COVID-19 i ka “rënë” tamam SBASHK-ut me arsyetimin se kanë shumë mësimdhënës dhe nxënës të infektuar me koronavirus.
Nga SBASHK-u kanë deklaruar se do të respektojnë vendimin e qeverisë së Kosovës dhe se kjo shkon në favor të pakësimit të rasteve dhe të kontrollit të pandemisë në shkolla, derisa prindërit janë shprehur kundër këtij vendimi.
“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në një komunikatë për media nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Nga kjo sindikatë kanë deklaruar gjithashtu se do të pranojnë çdo vendim i cili del nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, por vetëm pak ditë më herët kishin refuzuar vendimin e MASH-it dhe të Qeverisë së Kosovës.
Bëhet fjalë për ditën e hënë ku sipas vendimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit do të duhej të ishte ditë pune në shkolla, ndërsa SBASHK-u nuk e respektoi këtë vendim, duke bërë thirrje që të hënën të pushohet puna në shkolla.
Këto mospajtime mes SBASHK-ut, qeverisë e MASH-it i ndanë shkollat, disa mbajtën mësimin e disa pushuan, por këto veprime të sindikatës së Arsimit po e vënë në pah faktin se janë goxha ‘merakli’ të pushimit.
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja ka thënë se SBASHK-u nuk po e kupton saktë pandeminë për shkak se nuk janë të informuar për nivelin e shpërndarjes së virusit në shkolla dhe rolin vetëdijësues të mësimdhënësve në këtë sfidë.
“SBASHK duket që mungon në të kuptuarit e sakt të pandemisë, jo me faj të tyre, mirëpo në mendimin tim, mes tjerash, SBASHK nuk është i mirë informuar rreth nivelit të shpërndarjes së virus në komunitet të shkollës, rrezikshmërisë që u ekspozohen mësimdhënësit në profesion dhe rolit që po të njëjtit kanë në vetëdijesim të fëmijëve në përballje me situatën e krijuar.”, tha Qehaja për lajmi.net.
Më tutje, Qehaja tha se të gjithë komuniteti i shkollës duhet të përfshihet në vendimmarrje.
“Ky jo mirinformim pastaj konvertohet në një reagimi sindikal të orientuar në pjesë periferike karshi problemeve të vërteta. Thërras në një përfshirje aktive të të gjithë komunitetit të shkollës në të gjithë procesin e vendimmarrjes qeveritare për meanxhim të pandemisë.”, tha Qehaja për lajmi.net.
Por, sa i përket kësaj, mësimdhënësit kanë thuajse më shumë pushim sesa dit pune gjatë një viti shkollor.
Mësimdhënësit e ciklit të ulët nga klasa 1 deri në 5, maksimumi brenda një viti mund të ketë 184 ditë punë, ndërsa 181 të tjera i kanë pushim.
Por, edhe më pak ditë të punës kanë mësimdhënësit e ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Për mësimdhënësit e këtyre cikleve që janë të profesionalizuar në mësimdhënien në lëndë të caktuara mbahen vetëm 20 orë pune në javë, e të cilat mund të kryhen për 3-4 ditë pune, duke bërë kështu që pushimet tiu zgjaten edhe më shumë.