Lajme

Mësimdhënësit duhet të testohen në interes të shtetit

By FerizajPress

September 23, 2016

Ideja e Ministrisë së Arsimit, për të kryer testimin e mësimdhënësve duke filluar nga muaji tetor po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës.

Sipas përfaqësuesit të kësaj sindikate, Rexhep Sadikut, mësimdhënësit s’duhet të vlerësohen me testim formal, por ata mund të testohen në performancë gjatë mësimdhënies.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Sadiku ka deklaruar se Ministria ende nuk e ka bërë të qartë formën e testimit të mësimdhënësve, por gjithsesi ata janë kundër këtij testimi.

“Jemi kundër mënyrë së testimit të mësimdhënësve, për shkak se ka mënyra të tjera për të bërë matjen e kualiteteve të tyre. Nuk kemi platformë të qartë se si do të bëhet ky testim. Mësimdhënësi ka mënyrë dhe forma të tjera të testimit. Ministria mund t’i testojë gjatë orëve të mësimit përpara nxënësve”.

Ai ka tërhequr paralele krahasuese me Shqipërinë, duke thënë se testimi i mësimdhënësve atje ka dështuar dhe ky fat mund ta gjejë edhe Kosovën.

“Në Shqipëri ka dështuar testimi, s’kanë bërë asgjë me këtë punë. Kjo formë nuk rigjeneron mësuesin tonë dhe kjo nuk është formë e duhur e testimit të tyre. Rreziku për grevë ekziston për shkak se premtimet tona nuk janë realizuar premtimet e qeverisë”, ka thënë Sadiku.

Kurse në anën tjetër, Lah Nitaj – Këshilltar i Ministrit të Arsimit ka deklaruar se testimi i mësimdhënësve është obligim i ministrisë së arsimit ndaj qytetarëve taksapagues.

Ministria e Arsimit si një institucion qendror që përpilon politikat e arsimit, ka për obligim ndaj qytetarëve të saj që të bëjë vlerësimin e mësimdhënëse dhe të ngrish cilësinë e arsimit. Kjo është një ide që po përpunohet në Ministrinë e Arsimit”.

Nitaj e ka arsyetuar testimin e mësimdhënësve duke thënë se vlerësimi do të jetë ndihmë edhe për vetë ata dhe se forma e testimit ende nuk është finalizuar.

“Për të ecur përpara dhe për të qenë të krahasueshëm me të tjerët në tregun e dijes, duhet të kemi vlerësim performance edhe për kontingjentin e mësimdhënësve. Me këtë testim mund t’i ndihmojmë ata të përshtaten me kurrikulin dhe metodat e reja të mësimdhënies”, ka thënë Nitaj.

Idenë e Ministrisë së Arsimit për të zhvilluar një vlerësim të përgjithshëm të performancës dhe përgatitjes së mësimdhënësve në Kosovë, po e përkrahë edhe eksperti i arsimit Rinor Qehaja nga instituti EdGuard.

Qehaja është shprehur se testimi do ta rriste cilësimin e arsimit në Kosovë, për shkak se e nxitë konkurrencën.

“Gjithçka që i mungon sistemit të arsimit në shkollë është ngritja në pozitë e mësimdhënësve. Nëse ata nuk rivlerësohen do të mbesin në pozitë statike, pa kurrfarë shpërblimi dhe avancimi. Mësimdhënësit statikë nuk janë atraktivë as për nxënësit”.

“Testimi e rritë konkurrencën dhe konkurrenca kualitetin”.

Sa u përket dyshimeve të ngritura mbi manipulime me testet, Qehaja ka thënë se ky skepticizëm mund të evitohet duke angazhuar ekspertë ndërkombëtarë për ta kryer vlerësimin.

“Ka ekspertë ndërkombëtarë që janë të specializuar për zhvillimin e testimeve. Mund të angazhohen kompani nga jashtë që ta bëjnë testimin. Testimi i tyre është në interes shtetëror. Ka kaluar koha e zonës së komfortit për ta. Ritheksoj është interes shtetëror që të intervenohet sa më shpejt”, ka deklaruar Qehaja.

Arsim Bajrami, në media kishte deklaruar se gjatë tetorit të këtij viti do të bëhet testimi i mësimdhënësve të arsimit parauniversitar në Kosovë.

Në anën tjetër, SBASHK-u ka paralajmëruar grevë të mësimdhënësve duke filluar nga tetori, për shkak se siç ka thënë Sadiuku në Info Magazine, premtimet e tyre nuk janë realizuar nga qeveria./KlanKosova