Editorial

Mërgimtarja Hava Kurti Krasniqi: Letër e hapur për Presidentin Hashim Thaçi

By FerizajPress

June 02, 2017

I nderuar President

Jam larg dhe të kritikoj vendin tim nuk kam fare qejf.

Posaçërisht ndihem keq mu për faktin se jam edhe unë ndër të shumtët që luftoj për reduktimin e varfërisë në vendin tim.

Por meqë emrin edhe zemrën i kam atje , edhe mallin, por edhe varrin atje, atëherë dua të flas. Dhe sot po flas me ty, të parin e vendit.

Duke i dëgjuar reagimet e shumë njerëzve e sidomos në Zvicër mora guxim të të drejtohem sepse ky është edhe misioni im si shqipëtare.

Dhe jo vetëm si shqiptare. Unë jam pjesë e një kampanje kundër varfërisë në Zvicër dhe një gjë e di mirë: nga të gjitha antivlerat në botë, varfëria është rreziku më i madh, e që neve shqiptarëve keq e me shekuj po na kanosë.

Prandaj po të pyes pra ty, ty që dikur për këtë popull mbaje bomba në duar aeroporteve të botës :

A nuk do të ishte më mirë të ftoje të varfërit e vendit për iftar se sa ata që ti i ftove  e që rroga të majme kane?

Apo të shtroje një iftar për të sëmurët e pangrënë në spital ?

Nuk mund të më thuash: se skam të drejt të gjykoj .

Kam të drejtë edhe shumë bile, sepse pozita e presidentit është edhe e imja,  e popullit.

Prandaj kemi të drejtë të japim këshilla.

Ti ishe trim në luftë këtë se mohoj kurrë President.

Ti ke bërë edhe shumë gjëra të mira e të mëdha.

Ti je atdhetarë i devotshëm.

Të kujtohet kur e vizitove Dritëro Agollin, të lumtë kemi thënë të gjithë!

Por të organizosh një iftar me 600 punonjës të arsimit vërtet është trimni e madhe : trimni para zotit .

Mendoj se kjo trimëri duhet të ketë frikë prej zotit .

Edhe policia zvicerane shtron iftare,për hir të dashurisë dhe harmonisë ndërfetare,  por në ato iftare janë të ftuar të gjithë agjëruesit, pra : kush dëshiron pa ftesë mundë të shkojë, në iftar! Dhe pikërisht drejtësia e bën Zvicrën të mbarë .

Ilirët kanë qenë dhe mikpritës, bota i përshkruan të tillë, e ne jemi ilirët e sotëm, por duhet ta luftojmë padrejtësinë.

Arsimi duhet të jetë meteor i dijes e jo i fesë. Jam vetë pedagoge, punëtore e arsimit në Zvicër , nga ata që mundohemi të bëjmë mirë , duke mbjellë dashurinë, paqen dhe dijen, e duke luftuar: ndasinë, paditurinë dhe verbësinë .

Unë nuk e di si kanë pranuar ata të vijnë.

Kam qenë e ftuar në organizimeve të tilla në Kosovë. E di mirë sa shpenzime të kota shkojnë. Në organizimin e fundit kam kritikuar haptas  për teprinë  ushqime që janë shtruar. E gjithandej varfëria kishte hapur gojën si këpucët e Lulit te vargjet e Migjenit.

Heroi i popullit Bajram Curri ka bërë shumë për arsim.

Ai edhe shtëpinë e tij e ka dhënë për arsimimin e të rinjëve. Ka shkolluar shumë të rinj në Elbasan me përkujdesjen e tij. Ka kontribuar për shumë shkolla dhe ka themeluar konviktin: “KOSOVA”.

Ka dashur të themelojë një shkollë te URA E TABAKËVE por e penguan turqit.

Tërë jetën e tij Atdheut dhe arsimit ia ka përkushtuar por iftare jo nuk ka organizuar.

Në ndërtimin e shtetit arsimi është një segment ndër më të rëndësishmit, por

kur ne po e shohim prej mërgimit  tërë atë varfëri, spitale pa barna, njerërz që vdesin në mungesë shërimi .. si po i shohin mësuesit tanë këtë mjerim!!!

E di , e di Atdheu është një kala , sa më larg të jesh aq më mirë ke për ta pa.

Dhe ne mërgimtarët po e mbajmë atdheun në shpinë.Nuk është fare i lehtë ky obligim, edhe më i rëndë bëhet kur lexojm shtypin e huaj për varfërin e vendin tonë tek shkruajnë.

Sa për krenarin e vendit,krenarin po e mbajnë më së shumti vajzat dhe djemtë e diasporës. Si :  politikaj të shumtë nëpër diasporë , edhe artist të shumtë,  e sportist si Taulant e Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, etj.

U bë shenjtërimi i Nënës Terezë e sa pak ka bërë Kosova për këtë shenjtërim!

Ju përshëndes President me shpresën se zgjohemi të gjithë për një agim më të bardhë për të cilin shumë jetë janë dhanë.

 

E shqetësuar

Mërgimtarja

Hava Kurti Krasniqi

Ndërmjetësuese Kulture

Zvicër