Lajme

Meha prezanton hartat e përdorura për demarkacionin me Malin e Zi

By FerizajPress

August 03, 2016

Murat Meha, kryetar i Komisionit Shtetëror për demarkacionin, gjatë debatit ka prezantuar hartat e përdorura për demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka prezantuar llojet e ndryshme të hartave që janë përdorur për ta shënuar vijën kufitare të Kosovës. Meha ka prezantuar hartat topografike 1 me 25 mijë, e cila është harta më bazike, derisa ka shtuar se janë përdorur edhe hartat 1 me 300 mijë.

“Kemi hartat pasqyrë të vitit 1973, të cilat janë në shkallën 1 me 200 mijë që tregojnë të gjitha hartat që mbulojnë në mënyrë ligjore territorin e Kosovës”, ka thënë ai gjatë prezantimit.

Meha gjithashtu ka prezantuar hartat e Malit të Zi të vitit 1972 dhe vitit 1988.

Anëtarët tjerë të Komisionit, Besim Kajtazi dhe Shaban Guda, kanë sqaruar procedurat, bazën ligjore dhe aspektin e sigurisë për demarkacionin me Malin e Zi.