Lajme

Më shumë se 20 mijë komisionerë do t’i monitorojnë zgjedhjet e 22 tetorit

By FerizajPress

October 16, 2017

Në kuadër të mbarëvajtjes të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të angazhoj mbi 20 mijë komisionerë nëpër të gjitha qendrat e votimit, në Republikën e Kosovës.

Kështu ka theksuar për Telegrafin kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ajo ka thënë se të drejtën për të votuar në këto zgjedhje, e kanë mbi 1 milionë e 900 mijë qytetarë.

Zgjedhjet e reja përveç angazhimit të shumë njerëzve, do ta kenë edhe një kosto prej 4.5 milionë deri në 5 milionë euro.

Gara për të ata që synojnë ta marrin timonin e komunave, ka qenë shumë e dendur dhe me një numër shumë të madh të kandidatëve, duke bërë kështu që pothuajse të gjithë komunat të shkojnë në garën e balotazhit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar më shumë se 200 kandidatë, 91 subjekte politike, një koalicion, 30 nisma qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 7080 kandidatë për asamble komunale.

Ndryshe, rreth 18 mijë votues të ri do të kenë drejtën e votimit në këto zgjedhje.