Ferizaj

Me ecjen e dhjetëra qytetarëve, nisi edicioni i parë i maratonës “Race for the Cure” në mbështetje të pacienteve me sëmundjen e kancerit të gjirit

By FerizajPress

September 25, 2020

Ndërgjegjësimi në luftë kundër kancerit të gjirit, po ndodh përmes nismave të ndryshme komunitare. E tillë është edhe maratona “Race for the Cure” që po nis edicionin e parë në qytetin tonë.

Sot, në mesin e dhjetëra qytetarëve të mbledhur në sheshin qendror të qytetit, me ecje u shënua simbolikisht nisja e këtij edicioni që ka motiv këtë kauzë tejet të rëndësishme për shëndetin, ngjarje kjo që pati mbështetjen e pakursyer edhe të të parit të Ferizajt, kryetarit Agim Aliu.

Për të mbështetur këtë maratonë, në marshin e sotëm mori pjesë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, anëtarë dhe drejtues të Kuvendit të Komunës, drejtorë të drejtorive komunale, shoqëri civile, përfaqësues të institucioneve lokale, infermiere e mjekë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e të tjerë.

Fjalën hapëse të kësaj ngjarje e mbajti, Njomza Baftiu, e cila pak kohë më pari, fitoi betejën me këtë sëmundje. Ajo në cilësinë e organizatores, shpalosi para të pranishmëve, me emocione të forta, përjetimet e saja dhe betejën e fituar ndaj kancerit.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi përshëndeti këtë ngjarje, duke vënë theksin tek domosdoja e shtimit të kontrolleve mjekësore nga ana e grave, për të identifikuar në fazë të hershme e për të shpëtuar jetën e grave.

Organizatorët e kësaj ngjarje, Njomza Baftiu, Agon Zhinipotoku, Florina Ujupi dhe Vanesa Sadriu u shprehën entuziastë e mjaft të kënaqur me interesimin e qytetarëve ferizajas, që të kontribojnë përmes blerjes së numrave për pjesëmarrje në maratonë, fond ky dedikuar kësaj kauze.

Me ecjen deri tek sheshi që mban emrin e heroinës “Hyrë Emini” u mbyll dita e parë e hapjes së maratonës, për të vijuar të nesërmen me garën e vrapimit në disa kategori.