Ferizaj

Mbyllet pika kufitare në Bërnjak

By FerizajPress

September 24, 2023

Pika kufitare Bërnjak është mbyllur, pas vrasjes së një polici e plagosjes së një tjetri, në veri të Kosovës.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pika në Bërnjak që shërben si pikë kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë është mbyllur, ndërsa ajo në Jarinje vazhdon të jetë e hapur.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e një sulmi të armatosur ndaj policisë në veri të Kosovës, një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sulmi është nga krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ngjarja është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe dhe sipas saj, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se vrasja e policit në veri të Kosovës është sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve të Kosovës për rend dhe ligj, si dhe cenim i sovranitetit e sigurisë në vendin tonë.