Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, KES ka mbajtur takim konstituiv ku janë prezantuar anëtarët e rinj të Këshillit. Në këtë takim morën pjesë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, Zëvendësministri i Financave, Mustafa Grainca Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, si dhe perfaqësues nga BSPK, Oda ekonomike si dhe AKB-ja. Në këtë takim me theks të veçantë u diskutua edhe rreth funksionalizimit të komisioneve profesionale të KES-it. Pikë tjetër diskutimi ishte edhe Projektudhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr.09/2013 për kriteret dhe procedurat e përcaktimit të pagës minimale në Kosovë. Një grup punues ka punuar në Projektudhëzimin Administrativ për të cilin anëtarët janë dakorduar që t’i dërgojnë propozimet shtesë deri në javën e ardhshme, këto propozime të diskutohen dhe më pas ky Projektudhëzim të dërgohet në dëgjim publik.
Bashkërisht, të gjithë anëtarët e KES janë pajtuar për bashkëpunim dhe angazhim reciprok për të zhvilluar dialogun social edhe më tutje në nivel bipartit ashtu edhe në nivel trepartit, si dhe është dakorduar që çështjet kryesore të punës të Këshillit të trajtohen me prioritet.