Ferizaj

Mbi 80% e fëmijëve të moshës 8-11 vjeçare kanë çrregullim të kafshimit të dhëmbëve

By FerizajPress

October 02, 2018

Ferizaj.02.10.2018. Në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU) “Jeronim De Rada” në Ferizaj nga absolventët e Stomatologjisë Uran Halimi, Bekim Kadriu dhe Drin Muhaxhiri është bërë një hulumtim lidhur me çrregullimet e dhëmbëve në kafshim tek mosha 8-11 vjeçare. Në këtë hulumtim janë përfshirë 77 nxënës nga klasat e 3-ta dhe të 4-ta. Nga 77 nxënës të kësaj moshe, 41 (53.24%) ishin meshkuj dhe 36 (46.75%)femra. Nga ekzaminim është ardhur në përfundim se vetëm 18.18% e nxënësve kanë kafshim të rregullt, pra nuk kanë asnjë anomali (çrregullim) në kafshim, ndërsa 81.82% e nxënësve kanë të paktën njërën nga format e çrregullimeve të kafshimit. Përveç çrregullimeve në kafshim si dukuri mjaftë shqetësueses tek këta fëmijë ishte edhe kariesi ose siç njihet në popull edhe si prishja e dhëmbëve. Përmes këtyre ekzaminimeve këta nxënës përfituan edhe një kontrollë, me ç’rast u informuan për gjendjen e tyre orale, pra prishjet apo çrregullimet e dhëmbëve. Në fund u demonstrua pastrimi dhe mënyrat e mbajtjes së higjienës orale. Nxënësit patëm mundësi të bëjnë pyetje dhe të informohen më detajisht për çështjet që ju interesonin për shëndetin oral në përgjithësi.