Lajme

Mbi 7 mijë kandidatë për 4 mijë vende në konvikte

By FerizajPress

September 13, 2018

Në Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës sot mbyllet konkursi për aplikim për studentët që duan të banojnë në konvikte. Deri më tani kanë aplikuar mbi 7 mijë studentë për 4 mijë vende sa janë kapacitetet e Qendrës Studentore. Drejtues të saj thanë se është duke u bërë renovimi i konvikteve dhe pritet që ata të jenë të gatshëm për fillimin e vitit të ri akademik.

Qendra Studentore e Universitetit të Prishtinës është duke bërë përgatitjet për të pranuar studentët të cilët do të pranohen për banim në konvikte. Në këtë qendër sot përfundon afati për aplikim, ndërkohë kanë konkurruar mbi 7 mijë studentë. Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën se edhe sivjet numri i të interesuarve është shumë i madh në krahasim me kapacitetin që ka kjo qendër. Ai bëri të ditur se do të pranohen 4 mijë studentë, të cilët i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

“Kriteri bazë është që të jetë student i rregullt i Universitetit të Prishtinës, të jetë 25 kilometra e tutje nga kryeqyteti. Përparësi në pranim u japin fëmijëve që i përkasin kategorive të dala nga lufta, gjithashtu, u japim përparësi edhe studentëve që familjet e tyre janë me gjendje jo të mirë ekonomike, me nevoja të veçanta, etj. Disa nga këto kategori lirohen edhe nga pagesa.

Sfishta bëri të ditur se të gjitha konviktet e vjetra janë në renovim dhe pritet të jenë gati në fillim të muajit tetor.

“Është një projekt që e kemi donacion nga Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kryesisht për konviktet e vjetra. Mendoj që kushtet e konvikteve të vjetra do të jenë shumë të përafërta me ato që ofrojnë konviktet e reja”.

Studentët të cilët kanë aplikuar për të banuar në konvikte, mendojnë se i plotësojnë kushtet për t’u pranuar.

Rezultatet për pranimin e studentëve në Qendrën Studentore do të shpallen më 23 shtator, ndërsa afati për ankesa do të zgjasë tri ditë. Në komisionin për ankesa do të marrë pjesë edhe një përfaqësues nga Parlamentit Studentor i Universitetit të Prishtinës. Ndërkohë nuk do të ketë afat të dytë për regjistrim në konvikte, pasi kapacitetet do të plotësohen në këtë afat.