Testit të matematikës ‘’Kangaroo’’, për herë të parë i janë nënshtruar edhe mbi 300 nxënës nga klasa e dytë e deri në të dymbëdhjetën, të rajonit të Ferizajt.
Këtyre garave që po mbahen në të njejtën ditë në 70 vende të botës, sivjet për herë të parë u është bashkuar edhe Kosova.
Koordinatori për Ferizaj Kastriot Jupa, tha se qëllimi i këtyre garave është identifikimi dhe përkrahja e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Ai u shpreh i bindur se suksesi i nxënësve në këto gara nuk do të mungoj.
“Kjo është hera e parë e këtij rangu të këtij testi, besoj që suksesi nuk do të mungoj dhe kemi besim të plotë tek nxënësit që do të jemi në nivel të duhur, arsimtarët e tyre kanë bërë përpjekje maksimale që ky test të jetë sa më i mirë, përpjekjet e tyre dhe dëshira e nxënësve për lëndën e matematikës dhe suksesi do të jetë i shkëlqyeshëm”,tha Jupa.
Nxënësit të cilët po iu nënshtrohen këtij testi thanë se duke pas parasysh që po konkurojnë me shtetet e botës janë përgatitur mjaft shumë.
“Janë më shumë detyra logjike, por është mirë, jemi në dijeni se po garojmë edhe me shtetet e tjera dhe jam përgatitur mjaft shumë që të kem sukses”,tha nxënësja Ermira Sadiku.
“Kam mësuar shumë dhe besoj që do të kem sukses, po duket që është test i lehtë”,tha nxënësja Laura Sahiti.
“Është test i lehtë, jam përgatitur shumë dhe mendoj që do të kem sukses”, tha nxënësja Ariola Mehmeti.
Vitin e kalur Instituti ATOMI ka aplikuar që Kosova të bëhet anëtare e AKSF, i cili merret me organizimin e garës më të popullarizuar në botë për fushën e matematikës “Kangaroo”.
Rezultatet e këtij testi do të publikohen në muajin prill, transmeton Televizioni Tema.