Ferizaj

Mbi 1 milion euro barten nga vitit 2023 në vitin 2024

By FerizajPress

April 30, 2024

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, bashkë me drejtorët e drejtorive komunale, kanë mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt të Kuvendit të Komunës.

Në këtë mbledhje është diskutuar propozim-vendimi për themelimin e forumit të panelit për transparence komunale për kuvendin e komunës së Ferizajt, panel ky që do të përbëhet nga anëtarët e KK-së. Në këtë forum u vendos që këta të jenë anëtarët: Arbnora Salihu nga PDK-ja, Adnan Selmani nga VV, Besim Haziri nga LDK-ja si dhe Zekir Bytyqi nga AAK-ja.

Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, ka bërë propozim-vendimin për daljen në konsultim publik të draft statutit të Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.

E nga ana tjetër drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, ka paraqitur raportin financiar për periudhën janar-mars të këtij viti, si dhe ka bërë propozim-vendimin për bartjen e mbi 1 milion euro nga vitit 2023 në vitin 2024. Sipas drejtores Ajeti-Sadiku, bartja e këtyre mjeteve bëhet në bazë të ligjit, por edhe tejkalimit të planifikimeve që kanë qenë në vitin e kaluar. Ajo tha se bartja e mjeteve do të ndahet në kategorinë e shpenzimeve kapitale, subvencione si dhe investime kapitale.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për procesin e zgjedhjeve për kryetarët e fshatrave dhe bashkësive lokale si dhe gjendja me mbeturina në Komunën e Ferizajt.